TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, ka shprehur mbështetje të qartë për qëndrimet izraelite në lidhje me Bregun Perëndimor, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara do ta respektojnë çdo vendim të Izraelit për të zgjeruar sovranitetin në atë zonë, pa vendosur kushte.
Në një intervistë për Jerusalem Post, Huckabee theksoi se Uashingtoni nuk ka ndërmend të diktojë politikën izraelite në këtë drejtim:
“Respektojmë Izraelin si një shtet sovran. Nuk do t’i themi se çfarë mund ose nuk mund të bëjë. Edhe nëse nuk pajtohemi ndonjëherë, ata kanë të drejtën të veprojnë siç e shohin të arsyeshme. Kjo është natyra e një partneriteti të vërtetë.”
Ai madje hodhi poshtë përdorimin e termit “Bregu Perëndimor”, duke e cilësuar si të pasaktë dhe të shkëputur nga historia. Sipas tij, është më e saktë që territori të quhet Judea dhe Samaria, referenca biblike që përdoret shpesh nga e djathta izraelite.
“’Bregu Perëndimor’ është një term modern dhe i paqartë. Termi Judea dhe Samaria është përdorur për mijëra vjet, dhe mbi 80% e Biblës lidhet me këto zona,” – tha ambasadori.
SHBA kundër njohjes së një shteti palestinez: “Shkelje e Marrëveshjeve të Oslos”
Duke iu referuar përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të një shteti palestinez në Kombet e Bashkuara, Huckabee theksoi se një hap i tillë do të shkelte Marrëveshjet e Oslos dhe nuk do të çonte askund.
“Jo vetëm që jemi kundër, por u bëjmë thirrje fuqishëm të gjitha shteteve të mos e ndërmarrin këtë hap. Është një manovër propagandistike në OKB që nuk do të sjellë krijimin e një shteti palestinez.”
Jerusalemi, “kryeqyteti i pandashëm i shtetit hebraik”
Ambasadori amerikan rikujtoi gjithashtu vendimin e administratës Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të zhvendosur atje ambasadën amerikane, duke e cilësuar si një veprim që e konfirmon pozicionin e palëkundur të SHBA.
“SHBA-të e kanë përfshirë Jerusalemin si pjesë të trashëgimisë amerikane. E shohim si kryeqytetin e padiskutueshëm dhe të pandarë të shtetit hebraik.”
Ai e përshkroi marrëdhënien SHBA-Izrael si unike në botë, me nivele të larta bashkëpunimi në fushën e inteligjencës, teknologjisë ushtarake, softuerëve dhe koordinimit strategjik, të papara me asnjë vend tjetër.