BOTA, 16 Shtator 2025, 15:50

“Ndaloni masakrën në Gaza”, OKB dhe BE dënojnë ofensivën e re izraelite

“Ndaloni masakrën në Gaza”, OKB dhe BE dënojnë

Ofensiva e re tokësore e ushtrisë izraelite në qytetin e Gazës ka shkaktuar një valë të re reagimesh dhe dënimesh ndërkombëtare. Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe një sërë kryeqytetesh të rëndësishme perëndimore kanë dënuar ashpër veprimet e Tel Avivit, ndërsa paralajmërojnë pasoja të rënda humanitare.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha sot se ka prova se në Gaza janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke i bërë thirrje Izraelit të ndalë menjëherë ofensivën.
“E vetmja përgjigje për këtë është: ndaloni masakrën,” – u shpreh Turk gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.

“Mendoj për gratë, fëmijët e kequshqyer, njerëzit me aftësi të kufizuara – çfarë do të ndodhë me ta kur sulmohen përsëri në këtë mënyrë?”
Ndërsa refuzoi të përdorë vetë termin gjenocid, Turk theksoi se “provate po shtohen” dhe se kjo çështje duhet të shqyrtohet nga gjykatat ndërkombëtare.

Po sot, një Komision Hetimor i OKB-së publikoi një raport ku thuhet se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza, ndërsa përmenden drejtpërdrejt emra të zyrtarëve të lartë izraelitë si kryeministri Benjamin Netanyahu dhe presidenti Isaac Herzog.

Raporti, i cili është kundërshtuar ashpër nga qeveria izraelite, është cilësuar si “i njëanshëm dhe i rremë” nga Ministria e Jashtme e Izraelit.

Bashkimi Evropian ka dënuar sulmin në qytetin e Gazës, duke paralajmëruar pasoja edhe më të rënda humanitare.

“Sulmi do të sjellë më shumë shkatërrim, më shumë vdekje dhe më shumë zhvendosje të popullsisë,” – deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anwar El Anouny.

Sipas tij, Izraelit i është kërkuar vazhdimisht që të mos përshkallëzojë operacionet, pasi situata është tashmë katastrofike dhe rrezikon edhe jetën e pengjeve që ndodhen ende në territorin palestinez.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar masa konkrete, përfshirë:
• Sanksione ndaj disa ministrave izraelitë “ekstremistë”
• Pezullim të pjesshëm të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael

Këto masa pritet të diskutohen në Bruksel të mërkurën, por gjasat për miratim janë të ulëta, për shkak të ndarjes së thellë mes 27 vendeve anëtare.

Në mungesë të një qëndrimi të përbashkët evropian, disa shtete kanë ndërmarrë hapa individualë:

Belgjika ka vendosur sanksione ekonomike dhe konsullore ndaj Izraelit dhe disa zyrtarëve të qeverisë Netanyahu.

Franca, së bashku me disa vende të tjera, pritet të njohë shtetin palestinez në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Edhe Londra është rreshtuar në krah të kritikëve ndërkombëtarë, duke e cilësuar ofensivën e re në qytetin e Gazës.