BOTA, 14 Qershor 2025, 19:39

Macron bisedon me presidentin e Iranit, ja dy kërkesat e tij

Macron bisedon me presidentin e Iranit, ja dy kërkesat e tij

Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike këtë pasdite me presidentin e ri të Iranit, Massoud Pezeshkian, duke i përcjellë disa kërkesa të qarta dhe urgjente nga pala franceze.

Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjetin X (Twitter), Macron theksoi:

“Mesazhi im i parë ishte të kërkoja lirimin e menjëhershëm të bashkatdhetarëve tanë, Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të cilët janë mbajtur peng nga regjimi iranian në kushte të papranueshme për më shumë se tre vjet.”
Kreu i shtetit francez u shpreh i shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme, dhe kërkoi masa të menjëhershme për të shmangur përkeqësimin.

“Bëra thirrje që objektet tona diplomatike dhe shtetasit në Iran dhe në rajonin e gjerë të mos jenë në shënjestër në asnjë rrethanë. Gjithashtu bëra thirrje për përmbajtje maksimale për të shmangur përshkallëzimin.”
Macron theksoi gjithashtu shqetësimin për programin bërthamor të Iranit dhe kërkoi rifillimin urgjent të bisedimeve diplomatike:

“Programi bërthamor i Iranit është një shqetësim serioz dhe duhet të zgjidhet përmes negociatave. Prandaj, e ftova presidentin Pezeshkian të kthehet shpejt në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje – e vetmja rrugë e qëndrueshme për de-përshkallëzim.”
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Macron shprehu gatishmërinë e Francës për të kontribuar në zgjidhjen e krizës:

“Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë dhe të mobilizojmë të gjitha përpjekjet tona për të arritur këtë qëllim.”
Deklarata e Macronit vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, mes përplasjeve të rrezikshme mes Iranit dhe Izraelit, si dhe pezullimit të raundit të ri të bisedimeve SHBA-Iran për çështjen bërthamore.