TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi. Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjenerali Eyal Zamir, deklaroi të shtunën se avionët luftarakë izraelitë janë në gatishmëri për të rifilluar sulmet ajrore ndaj objektivave në kryeqytetin iranian, Teheran.
“IDF po vepron në përputhje me planet operacionale dhe Forcat Ajrore janë gati për të vepruar ndaj çdo kërcënimi nga Irani”, thuhet në deklaratën e përbashkët të gjeneralit Zamir dhe komandantit të Forcave Ajrore izraelite, Tomer Bar, gjatë një vlerësimi të situatës së sigurisë.
Kjo deklaratë vjen në vazhdën e një vale të re sulmesh raketore të nisura nga Irani drejt Tel Avivit dhe qyteteve të tjera izraelite gjatë natës së kaluar. Raketat iraniane, të cilat u përballën me sistemin izraelit të mbrojtjes ajrore “Kupola e Hekurt”, shkaktuan shpërthime të fuqishme në disa zona urbane, përfshirë Tel Avivin, Haifën dhe Jerusalemin.
Sipas autoriteteve izraelite, të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet iraniane. Ndërkohë, si kundërpërgjigje, IDF ka goditur me dhjetëra raketahedhës në territorin iranian, duke synuar edhe sistemet mbrojtëse ajrore në rajonin e Teheranit.
Përfaqësuesi i Iranit në Kombet e Bashkuara deklaroi se 78 persona kanë humbur jetën dhe mbi 320 janë plagosur nga sulmet izraelite të mëngjesit të së shtunës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se Izraeli do të vazhdojë ofensivën e tij kundër Iranit, duke e cilësuar reagimin ushtarak si “të domosdoshëm për sigurinë kombëtare”.
Situata mbetet kritike, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe shmangie të një konflikti të gjerë rajonal.