BOTA, 16 Shtator 2025, 22:40

I veshur me uniformë ushtarake, Putin ndjek stërvitjet militare Rusi-Bjellorusi, marrin pjesë edhe zyrtarë amerikanë

I veshur me uniformë ushtarake, Putin ndjek stërvitjet militare

Presidenti rus Vladimir Putin ka vizituar rajonin Nizhni Novgorod për të ndjekur nga afër stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Rusisë dhe Bjellorusisë, të njohura si “Zapad-2025”, njoftoi televizioni shtetëror rus.

I veshur me uniformë ushtarake, Putin është informuar për ecurinë e ushtrimeve nga ministri i ri i Mbrojtjes Andrei Belousov dhe zëvendësi i tij. Kreu i Kremlinit deklaroi se këto stërvitje synojnë testimin e elementëve të mbrojtjes së “shtetit të bashkuar” Rusi-Bjellorusi.

Në një zhvillim të pazakontë, Pentagoni konfirmoi sot se zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë kanë marrë pjesë si vëzhgues në këto ushtrime, duke pranuar një ftesë për herë të parë që prej fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022.

Të hënën, agjencia e lajmeve Reuters dhe media të tjera ndërkombëtare publikuan foto të zyrtarëve ushtarakë amerikanë në Bjellorusi, duke ndjekur nga afër stërvitjet “Zapad-2025”, bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë.

Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi:

“Ambasada e SHBA në Minsk mori një ftesë për atasheun ushtarak amerikan për të marrë pjesë si vëzhgues në stërvitjen ushtarake ZAPAD-2025, në kuadër të Ditës së Vizitorëve të Nderuar (DV Day). Ne e pranuam ftesën, duke pasur parasysh marrëdhëniet e fundit produktive dypalëshe mes vendeve tona.”