TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Lëvizja Houthi e Jemenit ka paralajmëruar se do të sulmojë anijet dhe mjetet luftarake amerikane në Detin e Kuq, në rast se SHBA-të përfshihen në një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit. Paralajmërimi erdhi përmes zëdhënësit ushtarak të grupit, Yahya Saree, i cili në një deklaratë për mediat e grupit u shpreh se çdo përfshirje amerikane në një sulm ndaj Iranit do të përballet me goditje të drejtpërdrejta.
"Ne po ndjekim me kujdes lëvizjet në rajon dhe jemi të gatshëm të mbrojmë veten nga çdo agresion", tha Saree. Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur ndjeshëm, ndërsa qarkullojnë raportime për një ndërhyrje të mundshme amerikane ndaj programit bërthamor të Iranit.
Sipas mediave ndërkombëtare, dy skuadrilje bombarduesish strategjikë B-2 janë nisur nga Baza Ajrore Whiteman në Missouri drejt ishullit Guam, duke rritur spekulimet për një përgatitje të mundshme ushtarake.
Ndërkohë, një ditë më parë, SHBA vendosi sanksione të reja ndaj entiteteve të lidhura me grupin Houthi, duke e shtuar edhe më tej përshkallëzimin diplomatik dhe ekonomik.
Kujtojmë se në maj, presidenti amerikan Donald Trump kishte arritur një marrëveshje të përkohshme me Houthi-t, përmes ndërmjetësimit të Omanit, për të pezulluar sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq në këmbim të ndalimit të sulmeve ajrore amerikane mbi pozicionet e tyre.
Deti i Kuq mbetet një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë, përmes së cilës kalon rreth 10% e tregtisë globale. Çdo destabilizim në këtë zonë strategjike mund të sjellë pasoja serioze për sigurinë dhe ekonominë ndërkombëtare.