BOTA, 21 Qershor 2025, 12:01

Kriza e parë e madhe për Von der Leyen: Aleatët kërcënojnë me tërheqje mbështetjeje pas dorëzimit për klimën

Kriza e parë e madhe për Von der Leyen: Aleatët

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po përballet me presion të fortë politik, pasi vendimi për të tërhequr një projektligj kyç për mbrojtjen e klimës ka shkaktuar pakënaqësi të thella mes aleatëve të saj kryesorë në Parlamentin Evropian.

Tërheqja e Direktivës së Pretendimeve të Gjelbra — e cila do t’u kërkonte kompanive të justifikonin pretendimet për ndikimin mjedisor të produkteve të tyre — është bërë shkak për kërcënime nga grupet liberale dhe socialiste se mund të tërheqin mbështetjen për Komisionin. Vendimi i Komisionit, i marrë pas kërkesës së Partisë Popullore Evropiane (PPE), është përshëndetur nga grupimet konservatore dhe të ekstremit të djathtë, përfshirë Patriotët për Evropën të Marine Le Pen dhe Viktor Orbán.

“Jemi në prag të një krize institucionale”, paralajmëroi Valerie Hager, presidente e grupit liberal Renew Europe, për Politico. Sipas saj, tërheqja e projektligjit minon bashkëpunimin e shumicës pro-evropiane që deri tani ka mbështetur presidenten e Komisionit.

Edhe socialistët kanë shprehur zemërim të fortë. Ata e akuzojnë Von der Leyen se po i afrohet gjithnjë e më shumë forcave të krahut të djathtë, duke lënë pas dore marrëveshjen politike të qendrës së majtë e cila e mbështeti mandatin e saj në 2019-ën. “Nëse vazhdon kështu, ne do të ndalojmë së mbrojturi atë,” paralajmëroi një zyrtar i lartë i Renew, duke shtuar se mund të pezullohet edhe bashkëpunimi i mëtejshëm mbi ligje të tjera.

Tërheqja e direktivës së “greenwashing” vjen në një klimë të tensionuar për presidenten e Komisionit, e cila po përballet edhe me kritika për transparencën e munguar në rastin e njohur si “Pfizergate” për bisedimet sekrete me kompaninë farmaceutike gjatë pandemisë.

Nga ana e saj, Komisioni mbron vendimin, duke argumentuar se teksti aktual do të krijonte barrë të madhe administrative, veçanërisht për bizneset e vogla. “Komisioni mbetet i përkushtuar për të luftuar ‘greenwashing’-un, por duam një zgjidhje më të thjeshtuar për biznesin,” u shpreh zëdhënësi Stefan de Kersmaeker.

Megjithatë, partnerët politikë të qendrës paralajmërojnë se durimi i tyre po shteron dhe nëse kjo vijë politike vazhdon, mund të rrezikohet vetë stabiliteti i shumicës pro-evropiane në Bruksel.