BOTA, 3 Prill 2023, 20:43

Hodhi në erë kafenenë në Shën Petersburg/ Flet 26-vjeçarja që vrau blogerin pro-rus: Unë e solla mjetin që shpërtheu

Hodhi në erë kafenenë në Shën Petersburg/ Flet

Gruaja e akuzuar për vrasjen e një blogeri pro luftës në Rusi ka zbuluar se ishte ajo që e kishte sjellë mjetin shpërthyes që i mori jetën Vladlen Tatrskyt në një kafene në Shën Petersburg.

Darya Trepova, 26 vjeç, u arrestua pasi Vladlen Tatarsky u vra dhe tetë persona mbetën të plagosur kur një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në kafene gjatë një diskutimi politik ku morën pjesë dhjetëra mbështetës të vijës së ashpër të pushtimit rus të Ukrainës.

Bomba mendohet të jetë fshehur në një bust gipsi të Tatarskit që iu dha nga Trepova, një kundërshtare e pushtimit të Ukrainës.

“Ata më përdorën mua!”, u shpreh Trepova kur u ndalua nga policia në një banesë në Shën Petersburg. Në një video të postuar nga policia ruse, ajo tha: “Unë solla bustin që shpërtheu”. Kur e pyetën se kush ia kishte dhënë, ajo psherëtiu dhe u përgjigj: “A mund t’ju tregoj pak më vonë?”

“Jam shumë i sigurt se ajo kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje ta bënte diçka të tillë vetë,” tha bashkëshorti i saj për mediat opozitare ruse. “Unë jam 100 i sigurt se ajo kurrë nuk do të ishte pajtuar me këtë nëse do ta dinte.”

Video nga pak para shpërthimit tregoi një grua me flokë të hapura dhe të veshur me një pallto të zezë duke hyrë në kafene me një kuti që besohet se përmbante bustin.

Një fotografi tregonte Trepovan duke u larguar nga Tatarsky pasi e dorëzoi atë. Sipas raportimeve, ajo tha se ishte shumë “e turpshme” kur ai i kërkoi asaj të ulej më afër tij. Busti shpërtheu pak çaste më vonë dhe Trepova u largua nga vendi i shpërthimit me një Volkswagen Polo të bardhë sipas mediave ruse.

Në pamjet që u publikuan pas incidentit shfaqen xhamat e kafenesë që thyhen ndërsa zjarri shpërthen nga jashtë dhe njerëz të mbuluar me gjak shfaqen të shtrirë në trotuar. Fotografitë nga brenda kafenesë, e quajtur Street Food Bar #1, tregojnë atë që duket të jetë një trup i pajetë dhe mobilje të thyera të spërkatura me gjak.

“Darya Trepova është arrestuar me dyshimin për përfshirje në shpërthimin në një kafene në Shën Petersburg”, tha sot Komiteti Hetues i Rusisë në Telegram.

Kremlini e quajti shpërthimin një “akt terrorist” dhe drejtoi gishtin e fajit në Kiev. “Ky është një regjim që mbështet aktivitetet terroriste,” tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i Presidentit Putin.

Trepova, një e diplomuar në shkollën e artit, u arrestua në disa protesta kundër luftës në Rusi vitin e kaluar, tha një mik i saj për Proekt, një faqe interneti e opozitës ruse. Ajo gjithashtu besohet të jetë arrestuar në mitingje në mbështetje të Alexei Navalny , liderit të burgosur të opozitës. Raportet e pakonfirmuara thanë se ajo iku në Gjeorgjinë fqinje pasi u arrestua, por u kthye gjashtë muaj më vonë kur i mbaruan paratë.

Ky rast është vrasja e dytë e një mbështetësi të profilit të lartë të luftës që kur Putin urdhëroi tanke në Ukrainë pak më shumë se një vit më parë. Në gusht, Daria Dugina, vajza e filozofit të shquar ultranacionalist rus Alexander Dugin u vra në një makinë bombë pranë Moskës. Ai sulm u mor përsipër nga një grup i panjohur më parë i luftëtarëve të rezistencës ruse të njohur si Ushtria Republikane Kombëtare.

Maria Zakharova, zëdhënësja e ministrit të jashtëm rus, fajësoi Ukrainën për sulmin. Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit Zelensky, tha megjithatë se shpërthimi ishte rezultat i tensioneve brenda Rusisë. “Merimangat po hanë njëra-tjetrën në një kavanoz”, shkroi ai në Twitter.