BOTA, 23 Shtator 2025, 22:35

FOTO+VIDEO/ Dëgjohen shpërthime të fuqishme në qendër të Oslos, policia gjen eksploziv, banorëve u kërkohet të qëndrojnë larg

FOTO+VIDEO/ Dëgjohen shpërthime të fuqishme në qendër

Skena tensioni u regjistruan të martën vonë pasdite në qendër të Oslo-s, pasi një shpërthim i fuqishëm tronditi rrugën Pilestredet, duke aktivizuar forcat e sigurisë.

Pas shpërthimit fillestar, policia norvegjeze konfirmoi se në vendngjarje u gjetën edhe eksplozivë të tjerë që nuk ishin aktivizuar. Në një njoftim zyrtar, autoritetet u bënë thirrje banorëve të zonës që të qëndrojnë larg dritareve dhe kërkuan nga qytetarët e tjerë të shmangin hyrjen në këtë zonë.

Sipas mediave lokale, një 13-vjeçar është arrestuar ndërsa policia dyshon për përfshirjen e dy personave në ngjarje. Teoria kryesore e hetuesve është se në vendngjarje shpërtheu një bombë dore. Një bombë dore tjetër u gjet në zonë dhe autoritetet kryen një shpërthim të kontrolluar për ta neutralizuar atë.

Forcat e armatosura të policisë kanë bllokuar rrugën, ndërsa zjarrfikësit janë në gatishmëri dhe helikopterët e policisë fluturojnë mbi zonë. Në të njëjtën kohë, qarkullimi i tramvajit është ndërprerë, duke evakuuar automjetet pranë vendit të shpërthimit.

Mediat lokale raportojnë se banorëve u janë dërguar mesazhe urgjente paralajmëruese në telefonat e tyre celularë, duke u dhënë udhëzime të qëndrojnë në vende të sigurta larg zonës së shpërthimit.