BOTA, 23 Shtator 2025, 15:37

Norvegjia pretendon se Rusia shkeli tri herë hapësirën ajrore në vend gjatë këtij viti: E paqartë nëse ishin të qëllimshme

Norvegjia pretendon se Rusia shkeli tri herë hapësirën ajrore

Qeveria norvegjeze deklaroi sot se hapësira ajrore e vendit është shkelur tre herë gjatë vitit 2025 nga avionë rusë, duke shtuar se nuk është ende e qartë nëse bëhet fjalë për veprime të qëllimshme apo për gabime navigimi.

Incidentet, të cilat zgjatën nga një deri në katër minuta, përbëjnë shkeljet e para të këtij lloji nga Rusia ndaj Norvegjisë pas më shumë se një dekade, thuhet në një deklaratë zyrtare të qeverisë norvegjeze.

Dy nga këto episode ndodhën më 25 prill dhe më 18 gusht mbi Detin Barenc në Arktik, ndërsa i treti u regjistrua më 24 korrik mbi një zonë të pabanuar të rajonit Finnmark, më veriorit në Norvegji, që kufizohet me Rusinë.

“Nuk mund të përcaktojmë nëse këto veprime ishin të qëllimshme apo rezultat i gabimeve në navigim,” tha Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store. “Sido që të jetë, kjo është e papranueshme dhe ia kemi bërë të qartë këtë autoriteteve ruse.”

Ndërkohë, më 19 shtator, tre avionë luftarakë rusë të tipit MiG-31 të armatosur shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për më shumë se dhjetë minuta. Ata u penguan dhe u shoqëruan jashtë nga avionë të NATO-s.

Pas incidentit, NATO i dërgoi një mesazh të fortë Rusisë, duke e nxitur të ndalë sjelljet e saj “të papërgjegjshme” dhe “të pamatura” ndaj vendeve anëtare. Aleanca dënoi qartë shkeljet e hapësirës ajrore nga Moska, duke theksuar se nuk do të tolerojë provokime të tilla.

Këshilli i Atlantikut të Veriut, i mbledhur pas kërkesës së Estonisë, shprehu “solidaritet të plotë” me vendet aleate të prekura dhe paralajmëroi se në rast të një sulmi të drejtpërdrejtë, mund të aktivizohet neni 5 i Traktatit të NATO-s, klauzola e mbrojtjes kolektive, sipas së cilës një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.