BOTA, 23 Shtator 2025, 15:29

Alarm në NATO pas shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia, Rutte: Veprime të qëllimshme ose paaftësi flagrante

Alarm në NATO pas shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia,

Një gjendje alarmi është shpallur në NATO pas shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore të Polonisë, Rumanisë dhe Estonisë, ndërsa kreu i Aleancës, Mark Rutte, deklaroi se veprimet e fundit janë ose të qëllimshme, ose “paaftësi flagrante”.

Sipas Rutte, NATO nuk e ka vlerësuar menjëherë si kërcënim incidentin ku avionët luftarakë të Aleancës shoqëruan avionë rusë jashtë hapësirës ajrore të Estonisë javën e kaluar.

“Ne gjithmonë do të vlerësojmë rrezikun, nëse bëhet fjalë për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj mbrojtjes sonë të përgjithshme, ndaj qëndrimit tonë dhe do të veprojmë gjithmonë në përputhje me rrethanat, por në këtë rast nuk u bë një vlerësim i një kërcënimi të menjëhershëm”, tha ai gjatë një konference për shtyp, duke iu referuar ngjarjeve në Estoni.

Ndërkohë, Rutte vlerësoi se është ende “shumë herët” për të thënë nëse Rusia është e përfshirë në fluturimet e dronëve mbi Kopenhagë.

“Autoritetet daneze po vlerësojnë aktualisht se çfarë ka ndodhur saktësisht. Është shumë herët për të thënë diçka përfundimtare”, shtoi ai.

Ngjarja me dronët, që çoi të hënën në mbylljen e Aeroportit të Kopenhagenit, përbën sulmin më serioz ndaj infrastrukturës daneze deri më sot, deklaroi sot Kryeministrja Mette Frederiksen.