TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kandidati për President në Ekuador, Fernando Villavicencio, është qëlluar për vdekje gjatë një fushate. CNN raporton se Villavicencio u qëllua teksa po largohej nga një tubim i fushatës në një shkollë në veri të kryeqytetit Quito, 10 ditë përpara se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahej më 20 gusht.
Nëntë persona kanë pësuar lëndime, përfshirë një kandidat për asamble dhe dy policë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur teksa Villavicencio ishte duke u larguar nga mitingu i fushatës drejt një automjeti të rrethuar nga disa oficerë policie dhe një turmë shikuesish. Në momentin që është ulur në sediljen e pasme të automjetit, autori i doli përpara dhe e qëlloi në kokë. Janë dëgjuar të paktën 12 të shtëna.
Presidenti i vendit, Guillermo Lasso tha se “krimi nuk do të mbetet i pandëshkuar”.
Villavicencio, i cili ishte i martuar dhe kishte pesë fëmijë, ishte një nga tetë kandidatët në raundin e parë të zgjedhjeve.
Ngjarja vjen në një periudhë, ku krimi dhe prania e kartelave të drogës në Ekuador vjen gjithnjë e më shumë në rritje gjatë viteve të fundit, duke e kthyer në një ndër retorikat kryesore të fushatave presidenciale të këtij viti por edhe të politikës në tërësi.
Muajin e kaluar, Lasso shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shtetrrethim natën në tre provinca pas një numri vrasjesh të lidhura me krimin e organizuar.