TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë fjalimit të tij në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, bëri thirrje për më shumë mbështetje ndërkombëtare ndaj vendit të tij, duke deklaruar se pa “miq dhe armë, nuk ka siguri”.
“Po, ne duam paqe. Por nëse një shtet dëshiron paqe, duhet të vazhdojë të investojë në armë – sepse armët vendosin kush mbijeton”, tha ai, duke theksuar se edhe në mes të gjakderdhjes, populli ukrainas mbetet paqedashës.
Zelensky akuzoi Rusinë se vazhdon bombardimet, përfshirë edhe zonat pranë centraleve bërthamore, dhe se pengesa për një armëpushim vjen vetëm nga vetë Moska. Ai theksoi gjithashtu se Rusia ka rrëmbyer “mijëra fëmijë ukrainas”, ndërsa institucionet ndërkombëtare janë “shumë të dobëta për ta ndalur këtë çmenduri”.
Presidenti ukrainas paralajmëroi se edhe anëtarësia në NATO nuk garanton siguri automatike, duke përmendur rastet e shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia në Poloni dhe Estoni. Ai kujtoi se vetëm pak ditë më parë, 19 dronë rusë depërtuan në hapësirën ajrore të Polonisë, nga të cilët vetëm katër u rrëzuan.
Zelensky nënvizoi gjithashtu se Moldavia është në rrezik të ndikimit rus dhe se nëse Evropa nuk vepron tani, atëherë kostoja për ta ndaluar këtë ndikim në të ardhmen do të jetë shumë më e lartë. Ai paralajmëroi që Evropa të mos e humbasë Moldavinë, ashtu siç “e humbi Gjeorgjinë dhe Bjellorusinë”.
Ai kërkoi që Bashkimi Evropian të mbështesë Moldavinë me ndihmë financiare dhe energjetike – jo vetëm me deklarata politike apo gjeste simbolike.
Në fund, Zelensky tha se vetëm përmes veprimit të vendosur dhe mbështetjes konkrete, mund të ruhet stabiliteti i kontinentit dhe të pengohet përhapja e ndikimit rus në vendet fqinje.