NË FOKUS, 8 Mars 2022, 17:38

Basha po braktiset masivisht, por kush janë deputetët që besojnë ende tek humbësi serial?

Basha po braktiset masivisht, por kush janë deputetët që

Pozitat e Lulzim Bashës në Partinë Demokratike janë tronditur seriozisht, me shumicën e partisë që tashmë i ka dalë kundër dhe kërkon largimin e tij të menjëhershëm.  

Duket se kulmi i pakënaqësisë ndaj Bashës, ka ardhur pas humbjes dramatike të zgjedhjeve të pjesshme lokale, ku PD përfundoi forcë e tretë, me 13% të votave, ndërkohë që Lulzim Basha doli para kamerave dhe habiti të gjithë botën shqipfolëse, kur tha se ai "nuk ka humbur asnjë garë në jetë". Me sa duket kjo nuk është kapërdirë edhe nga ata deputetë, që për të mbajtur Bashën në krye, u është dashur të përdhosin edhe mbi dinjitetin e tyre. 

Basha u përball me një furtunë në mbledhjen e grupit parlamentar, ndërkohë që sot deputetët po distancohen publikisht nga ai dhe po kërkojnë që të largohet, për t'i hapur rrugë zgjedhjeve në parti. 

Lulzim Bashës i ka mbetur një grup mjaft i vogël besnikësh, ku spikasin figura si Gaz Bardhi, që është konsideruar numri 2 në PD-në e Bashës. 

Enkelejd Alibeaj, i pajisur me poste të panumërta nga Basha, po i qëndron ende besnik atij. 

Po kështu edhe Oriola Pampuri, Kreshnik Çollaku, Arbi Agalliu, Ina Zhupa. 

Jorida Tabaku pritet gjithashtu ta mbështesë Bashën deri në fund. 

Disa deputetë kanë nisur të distancohen publikisht nga Basha. TPZ mëson se kësaj liste pritet t'ju bashkohen edhe deputetë të tjerë, që duan largimin urgjent të njeriut që e çoi partinë në nivelet më të ulëta historike, duke varrosur shpresat e shumë demokratëve për të ardhur në pushtet. 

Deputeti Ervin Salianji, është padyshim një goditje e rëndë për Bashën, si një nga mbështetësit më vokalë të tij, pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar. Por, me sa duket gjithçka e ka një fund. Pas humbjes dërrmuese të Partisë Demokratike në 6 mars dhe deklaratave të Bashës se ai "nuk ka humbur asnjë garë në jetë" edhe Salianji e ka marrë vendimin. Ai thotë se Basha "është një barrë e rëndë për opozitën" dhe se në PD duhet të mbahen zgjedhjet. 

Grida Duma ka dhënë dorëheqjen nga nënkryetare e PD-së dhe ka kërkuar largimin e Bashës. Ajo ka bërë disa deklaratat të forta, ndër të cilat ka thënë se Basha i përdor dështimet e Partisë Demokratike për t'i kthyer në fitime të vetat! 
Duma e mbështeti Bashën pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar, por tashmë duket se gjendja ku e ke çuar Basha PD-në, është e pajustifikueshme edhe nga mbështetësit e tij. 

Deputeti Agron Gjejmarkaj ka dhënë dorëheqjen nga postet që mbante në parti dhe ka kërkuar largimin e Bashës dhe organizimin e zgjedhjeve. 

Ferdinand Xhaferri, ka kërkuar dorëheqjen e Bashës dhe bën thirrje për mbajetjen e zgjedhjeve brenda partisë. Sipas tij, as Basha dhe as Berisha nuk janë alternativa për PD-në.  "Mbrëmë, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, kam kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike", thotë Xhaferri. 

Deputetet Flutura Açka dhe Merita Bakiu janë prononcuar publikisht, duke kërkuar largimin e Bashës. 

Tomorr Alizoti, që nuk ka mbështetur asnjërin prej grupimeve në PD, duke qëndruar neutral ndaj tyre, madje duke kritikuar edhe Bashën edhe Berishën,  ka kërkuar në mënyrë të përsëritur largimin e Bashës. Së fundmi, në emisionin "Të Paekspozuarit" të Ylli Rakipit, Alizoti kërkoi dorëheqjen urgjente të Bashës nga PD dhe bëri thirrje që kolegët e tij deputetë të mbajnë qëndrim. Alizoti e quajti mbështetjen ndaj Bashës, "akt kriminal politik". 

Ndërkohë që po të marrim parasysh edhe ata deputetë që i janë bashkuar Sali Berishës, që prej fillimit të lëvizjes së tij, duket se shumica e grupit parlamentar të PD ka dalë kundër Lulzim Bashës, ndaj qëndrimi i tij në PD tashmë është mision i pamundur. 

Poll