BOTA, 21 Prill 2023, 15:55

Akuzohet për sulme terroriste, Rusia lëshon urdhër arrest për Shefin e Inteligjencës Ushtarake ukrainase

Akuzohet për sulme terroriste, Rusia lëshon urdhër arrest

Gjykata e Moskës ka lëshuar një urdhër arrest për shefin e Inteligjencës Ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov. Shefi i spiunazhi akuzohet nga Kremlini për organizimin e “sulmeve terroriste” brenda Rusisë.

Mediat e huaja shkruajnë se Budanov akuzohet për vepra të lidhura me terrorizmin dhe kontrabandën e armëve. Që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë vitin e kaluar, një numër shpërthimesh kanë goditur infrastrukturën ruse, depot e armëve dhe objektet ushtarake.

Rusia ka fajësuar Ukrainën për shumë nga sulmet, ndërsa Kievi as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përfshirjen e saj.

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) e quajti më parë Budanovin si organizatorin e një shpërthimi që dëmtoi urën që lidh Rusinë me gadishullin ukrainas të aneksuar të Krimesë në tetor.