AKTUALITET, 28 Korrik 2019, 20:52

Basha: Protesta deri në zgjedhje të parakohshme

Basha: Protesta deri në zgjedhje të parakohshme

Në takimin me strukturat e Partisë Demokratike në Mat, kreu i opozitës Lulzim Basha pohoi se largimi i Edi Ramës është mënyra e vetme për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndryshimit politik dhe zhvillimit ekonomik.

“Do të vazhdojmë me denoncimet dhe me protestat, si mjet për një nga qëllimet e pandryshuara të opozitës: zgjedhje të parakohshme parlamentare me qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër dhe zgjedhje lokale legjitime në një ditë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, – u shpreh Basha.

Basha tha se Shqipëria e ka jetik ndryshimin, pasi me këtë qeveri që vetëm grabit dhe vjedh, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që nuk përfiton nga mundësitë e jashtëzakonshme të krijuara nga revolucioni teknologjik dhe turizmi, dy fusha që mund të hapin me mijëra vende pune në Shqipëri dhe të kontribuojnë në ngritjen ekonomike te vendit.

“Rrugën e zhvillimit po e pengon dhe e po e bllokon Edi Rama. Hajdutëria e tij, babëzia e tij, pakti me oligarkët, janë arsyet se pse vendi është varfëruar, pse buxheti i shtetit nuk shkon në shërbim të qytetarëve, por vidhet për t’i shërbyer Edi Ramës dhe klikës së tij, pse pasuritë e pafundme të Shqipërisë, në vend që të shërbejnë për mirëqenien e njerëzve, pasurojnë një grusht oligarkësh dhe varfërojnë pjesën tjetër të vendit”, – argumentoi kreu i opozitës.