AKTUALITET, 13 Maj 2019, 19:30

Basha në protestë: E vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama është dhuna

Basha në protestë: E vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama

Lulzim Basha deklaroi sot nga protesta para kryeministrisë se dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama.

Mbi një podium të sajuar dhe pa çadër, Basha deklaroi se opozita ofron bashkimin e shpirtrave kundër dhunës.

“Vetëm 48 orë më parë shqiptarët u bashkuan në një protestë të jashtëzakonshme për të kërkuar një të drejtë elementare të demokracisë, garancinë për lirinë dhe dinjitetin e çdo shqiptari, themelin e vlerave europiane, votën e lirë dhe të ndershme. Shqipëria dhe kryeministri ilegjitim i dalë nga votat e blera me ndihmën e krimit të organizuar ju përgjigj thirrjes tonë me dhunë, provokime, rrahje, gaz lotsjellës e helmues. Qindra mijëra bashkëqytetarë të Tiranës e ndjenë përgjigjen, zgjdhjen e vetme që ka ofruar Rama për plagën që i ka hapur këtij vendi. Përgjigjja e vetme e Edi Ramës ndaj votës së lirë ishte dhuna. 

Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Tash 2 vjet prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur Rama në bashkëpunim me kupolën e mafias, për të blerë më të shtrenjtën vlerë që ka cdo shqiptar, votën e lirë. 

Edi Rama vjedh shqiptarët, u vjedh taksat, u vjedh pronat gjithçka, sepse nuk jep llogari askund përveç se tek krimi i organizuar. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës. Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë”, deklaroi Basha.