AKTUALITET, 5 Korrik 2018, 14:44

Basha-ambasadorëve: Peshqit e mëdhenj i gjeni në pritjet zyrtare

Basha-ambasadorëve: Peshqit e mëdhenj i gjeni në pritjet zyrtare

Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Ministria e Brendshme ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama, ambasadori amerikan dhe ai britanik ngacmuan sërish temën e “peshqve të mëdhenj”. Për të thënë se qeveria ka dështuar në luftën kundër krimit, britaniku tha se peshqit e mëdhenj janë ende në oqean, por deklarata e tij u komentua në parlament nga Lulzim Basha.

“Oqean? Mos gënjeni veten tuaj zotërinj ambasadorë se shqiptarët nuk gënjehen më! Peshqit e mëdhenj janë në krahun tuaj në çdo pritje zyrtare dhe në podiumin e qeverisë këtu në parlament.

Edi Rama zgjodhi krimin dhe jo Shqipërinë dhe sot ai nuk del dot më nga vatha e krimit. Ai nuk është thjesht një politikan ballkanik i korruptuar dhe I inkriminuar: ai është një politikan i kapur dhe kontrolluar tërësisht nga krimi.

Shqipëria ka nevojë për ndryshime të mëdha. Por ndryshimi i parë dhe fillimi i të gjitha ndryshimeve është largimi i Edi Ramës dhe bashkë me të i regjimit të tij kriminal. Vetëm atëhere Shqipëria do të ketë sërish mundësinë të shohë përpara më optimizëm” u shpreh Basha.