BALLKAN, 10 Qershor 2023, 20:03

Shi i rrëmbyeshëm dhe breshër, shpallet gjendja e emergjencës në Dellçevë, shtëpi e biznese nën ujë

Shi i rrëmbyeshëm dhe breshër, shpallet gjendja e

Moti i keq dhe shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur shtëpi, objekte biznesi dhe institucione në komunën e Dellçevës në Maqedoninë e Veriut.

Reshjet e dendura të shiut të ndjekur nga breshri kanë zgjatur më shumë se një orë dhe shumica e banorëve kanë mbetur pa energji elektrike.

Nën ujë kanë mbetur edhe disa makina, si dhe janë përmbytur edhe ambientet e bodrumit të Fondit të Shëndetësisë.

Komuna pati mbledhje të jashtëzakonshme dhe shpalli gjendje emergjence ndërsa riparimi i dëmeve ka vazhduar edhe sot.

Kryetari i komunës Goran Trajkovski tha se të gjitha ekipet janë në terren që nga mbrëmja dhe pritet që së shpejti të riparohen dëmet e mëdha dhe qyteti të funksionojë normalisht.

“Edhe pse kemi ndërtuar një kanalizim, nuk ka mjaftuar për këto reshje të dendura që kanë zgjatur për një orë e dhjetë minuta, me intensitet të madh dhe sistemi kullues nuk ka mundur t’i mbledhë ato ujëra. Pra ka pasur dëme, por do ta përcaktojmë dhe do ta kemi një pasqyrë të plotë.”- tha Goran Trajkovski, kryetar i Komunës së Dellçevës.

Qyteti do të formojë edhe një komision që do të duhet të vlerësojë dëmet dhe ti kompensojë.