TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar së fundmi për situatën në Veri të Kosovës, ndërsa i ka bërë thirrje Kosovës që të mos organizojë zgjedhje të reja për kryetarë të komunave, derisa të arrihet autonomi më e madhe për serbët etnikë.
“Të gjithë serbët në veri e mendojnë Serbinë si vendin e tyre, jo Kosovën. Ky është realiteti”, tha Vuçiç në një intervistë për Reuters-in, më 9 qershor.
Ai tha se “dikush duhet ta marrë situatën nën kontroll dhe të organizojë zgjedhjet (e reja) atje”.
Javën e kaluar, dhuna shpërtheu në veri të Kosovës, pasi kryetarët e komunave, shqiptarë etnikë, u vendosën në objektet komunale, në komunat e banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën në prill, në të cilat pjesëmarrja ishte vetëm 3.5 për qind.
Si përgjigje ndaj trazirave, në të cilat protestuesit serbë u përleshën me paqeruajtësit e NATO-s, duke lënë dhjetëra të plagosur nga të dyja palët, Serbia i vuri forcat e saj të armatosura në gatishmërinë më të lartë luftarake. Ndërkaq, NATO dërgoi përforcime në misionin e saj në Kosovë.