BALLKAN, 27 Qershor 2022, 17:04

Ofensiva e 7 majit 1999 me nëntë të vrarë, arrestohet një malazez për krime lufte në Kosovë

Ofensiva e 7 majit 1999 me nëntë të vrarë, arrestohet

Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se, pas një pune hetimore disamujore nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, të hënën ka arrestuar një person i dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Sipas prokurorisë, i dyshuari është M.D. nga fshati Vitomiricë, Komuna e Pejës, i nacionalitetit malazez, shtetas i Republikës së Kosovës.

Ai është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (më tej “LP-RSFJ”), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, e sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal.

Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 07.05.1999 në regjionin e Pejës, ku dyshohet se u vranë nëntë (9) civilë të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë (5) persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor.