BALLKAN, 27 Qershor 2022, 16:44

Hajdutët i vjedhin biznesmenit grek një milion euro vetëm për gjashtë minuta, si ndodhi ngjarja

Hajdutët i vjedhin biznesmenit grek një milion euro vetëm

Një grup hajdutësh kanë vjedhur nga apartamenti i një biznesmeni grek në Selanik para cash dhe bizhuteri me vlerë një milion euro.

Vjedhja  raportohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, 26 qershor, ndërsa mësohet se hajdutët kishin informacion se i zoti i shtëpisë nuk ndodhej në atë orë në banesë.

Sipas medieve greke hajdutët u treguan aq të shkathët sa që iu deshën vetëm gjashtë minuta për të vjedhur pasurinë me vlerë një milion euro.

Sipas informacioneve të protothema.gr, të paktën pesë persona hynë në apartamentin e biznesmenit në rrugën Maria Callas në orën 03.30 në Selanikun lindor.

Ata vepruan të organizuar në mënyrë perfekte dhe sipas planit tyre të caktuar, arritën të hyjnë në banesën e katit të gjashtë, gjetën vendin ku ndodhej kasaforta e morën dhe e hodhën nga ballkoni i katit të gjashtë.

Më pas autorët zbritën duke vrapuar, morën kasafortën nga rruga, e cila peshonte mbi 400 kg, e futën në bagazhin e makinës dhe u zhdukën. Policia helene po vijon mbledhjen e dëshmive dhe materialeve nga kamerat e sigurisë në zonë për të bërë të mundur kapjen e autorëve të vjedhjes spektakolare.