BALLKAN, 7 Nëntor 2022, 09:31

“Moska po ndez konfliktin në vend”/ Tensionet në veri të Kosovës, jehonë në mediet e huaja: Shumë rusofilë në shoqërinë serbe

“Moska po ndez konfliktin në vend”/ Tensionet në veri
Mediat botërore për zhvillimet në Kosovë

Gjatë dy ditëve të fundit, serbët e Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në institucionet publike të Kosovës. Mobilizimi i tyre erdhi si shenjë proteste ndaj vendimit të Kosovës për implementimin e targave kosovare për banorët serbë. Serbët gjithashtu kanë kërkuar krijuar e Asociacionit të Komunave Serbe. Jo vetëm kaq, serbët në veri të vendit u mblodhën në një protestë për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Situata aktuale në Kosovë po raportohet dukshëm edhe nga mediet e huaja prestigjioze, madje "La Repubblica" raportoi se ky konflikt po i atribuohet Moskës, e cila sipas këtij mediumi “po ndez konfliktin në vend”.

Duke përmendur një sërë faktorësh, "La Repubblica" shkroi se “Beogradi e ka vendosur ushtrinë në gatishmëri” dhe se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti hodhi akuza te Rusia.

Një media tjetër që raportoi për situatën është edhe "Politico". Që në titull thuhej se “tensionet etnike u ndezën sërish në veri të Kosovës”. Krahas kësaj, mediumi raportoi gjithashtu edhe për protestën e sotme, ku sipas tyre morën pjesë qindra protestues.

Ndërkaq media "Blick" shkroi se u përshkallëzua sërish mosmarrëveshja për çështjen e targave. Blick shkoi se janë shtuar tensionet mes përfaqësuesve të minoritetit serb dhe qeverisë në Prishtinë.

Në anën tjetër, një artikull nga "The Guardian" raportoi se pikëpamja anti-perëndimore në Serbi nuk vjen nga përkrahja për Putinin. Sipas këtij artikulli, ekziston një numër i konsiderueshëm i rusofilëve në shoqërinë serbe. Ata janë një pakicë e zhurmshme prej rreth 21 për qind.