TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ligji i Kosovës siguron mbështetje ligjore dhe financiare për të pandehurit në gjyqet e krimeve të luftës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dhe tani gjykata dëshiron që Kosova të garantojë që edhe viktimat të kompensohen.
Zyrtarët në Prishtinë ende nuk janë përgjigjur publikisht pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i kërkuan Kosovës të krijojë një mekanizëm të ri dëmshpërblimi për viktimat e krimeve të luftës në mënyrë që të sigurojë “trajtim të barabartë midis të dyshuarve dhe të akuzuarve”.
Kur ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Salih Mustafa u dënua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas një vendimi të shkallës së parë në mars, gjykatësit e urdhëruan atë të paguajë 207,000 euro si kompensim për viktimat e krimeve.
Por gjyqtarët gjithashtu vunë në dukje se Mustafa “aktualisht nuk i ka mjetet për të përmbushur plotësisht urdhrin”. Me fjalë të tjera, ai nuk është në gjendje të paguajë.
Prandaj, gjyqtarët i thanë kryesekretarit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në bashkëpunim me avokatin ligjor që përfaqëson viktimat në këtë rast, që të “kërkojë kompensim nga Programi ekzistues i Kosovës për Kompensimin e Viktimave të Krimit, në emër të viktimave,” tha për BIRN zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.
Por Kosova ende nuk ka treguar gatishmëri për të krijuar ndonjë mekanizëm dëmshpërblimi apo për të ndërhyrë për të kompensuar viktimat.
Zyra e kryeministrit të Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë nuk pranuan t’i përgjigjen pyetjeve të BIRN se si do t’i përgjigjen kërkesave të gjykatës.
Amer Alija nga OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Prishtinë, e cila monitoron gjyqet e krimeve të luftës, tha se qeveria duhet të prezantojë legjislacion adekuat dhe mekanizma funksionalë për të ofruar kompensim për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.
“E drejta për kompensim duhet t’u njihet edhe viktimave të gjyqeve të mëparshme të krimeve të luftës në rastet kur janë dhënë vendime të formës së prerë”, tha Alija për BIRN.
Kosova ka Programin e saj për Kompensimin e Viktimave të Krimit që nga viti 2015, por asnjë viktimë e krimeve të luftës nuk është kompensuar ndonjëherë, edhe pse ka pasur vendime në dhjetëra raste.
Kompensimi maksimal ligjor që mund të jepet sipas programit është gjithashtu më i vogël se shuma e përcaktuar në urdhrin e Dhomave të Specializuara në rastin Mustafa.
Ligji i Kosovës parasheh pagesa të pakufizuara për mbështetje ligjore për personat e paditur në Dhomat e Specializuara dhe për vizitat në Hagë nga anëtarët e familjes së të akuzuarve, por nuk ofron asgjë për viktimat.
Legjislacioni që trajton lëndimet dhe humbjet e shkaktuara nga lufta në Kosovë në vitet 1998-1999 i referohet ekskluzivisht viktimave të forcave armike – Ushtrisë Jugosllave dhe policisë dhe paraushtarakëve serbë. Viktimat e krimeve të kryera nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë të drejtë në asnjë përfitim social lidhur me dëmin që kanë pësuar.
Viktimat që dëshmuan në mënyrë anonime si dëshmitarë të mbrojtur në Hagë do të duhej të zbulonin emrat e tyre për të ndjekur një padi civile, nëse vendosin të kërkojnë kompensim në gjykatat e Kosovës. Kjo mund të vërë jetën e tyre në rrezik serioz të ndëshkimit të dhunshëm.
“Nëse viktimat kalojnë nëpër procedura civile, është e vështirë që identiteti i tyre të mbrohet”, tha për BIRN Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj.
Si zgjidhje e mundshme, gjyqtarët në rastin Mustafa rekomanduan që “kryesekretari i Dhomave të Specializuara, në koordinim me avokatin e viktimave, duhet të kërkojë kompensim në emër të viktimave”, tha Griep.
Gjyqtarët rekomanduan gjithashtu krijimin e një fondi për viktimat e krimeve nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet e saj ndaj viktimave brenda një periudhe të arsyeshme kohore.
Fondi duhet të mbështetet financiarisht nga Kosova, mbi të gjitha, si dhe nga shtetet dhe donatorët e tjerë, thanë gjyqtarët.
Nora Ahmetaj, hulumtuese e drejtësisë tranzicionale në Kosovë, u pajtua që duhet të krijohet një fond si dhe një mekanizëm për të mbikëqyrur pagesën e kompensimit.
“Nga aspekti moral, mendoj se për shkak se ligji për pagesën e avokatëve të të akuzuarve është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, edhe viktimat duhet të kompensohen, si akt i njohjes së vuajtjeve të tyre dhe për rivendosjen e dinjitetit të tyre”, tha Ahmetaj për BIRN.
“Megjithatë, si qytetare e Kosovës, nuk më pëlqen që taksat tona do të përdoren për të paguar kompensim për viktimat që kanë vuajtur nga veprimet e të akuzuarve, nëse ata shpallen fajtorë”, tha ajo./BIRN