BALLKAN, 27 Shkurt 2024, 20:43

Gara për president në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari mbledh nënshkrimet e nevojshme për të kandiduar

Gara për president në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari mbledh

Koalicioni VLEN në Maqedoninë e Veriut, ka arritur të sigurojë më shumë se 10 mijë nënshkrime për kandidaturën e Arben Taravarit për president.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka shprehur mirënjohje për nënshkrimet e mbledhura.

“Falënderoj secilin nga ju që në një kohë rekord nënshkruat për kandidaturën time për President!

Le të jetë kjo fushatë e dedikuar e gjitha për Ju! Sinqerisht, Arbeni”, është shprehur ai.

Kujtojmë se për të kandiduar për president në Maqedoninë e Veriut duhen 10 mijë nënshkrime ose mbështetja e 30 deputetëve në parlament.

Në garë deri tani janë 13 kandidatë, ndërsa shqiptarët përfaqësohen me Bujar Osmanin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Arben Taravarin e opozitës së njohur tani me moton ‘VLEN’.

Edhe pse Taravari ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe Bujar Osmani mund t’i sigurojë, të pakta janë gjasat që njëri nga ta mund të kalojë në raundin e dytë, sepse deri më tani nuk ka ndodhur që një shqiptar të përballet në balotazh me një garues maqedonas për president. Por, është elektorati shqiptar që ndihmon zgjedhjen e presidentit në këtë vend.

Për të fituar zgjedhjet që në raundin e parë nevojitet mbi pesëdhjetë përqindëshi i votave të elektoratit. Maqedonia e Veriut ka pak mbi 1 milion e 800 mijë votues, ndërsa shënohet një trend në ulje i interesimit për të votuar.