TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ka përfunduar takimi trilateral mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçakut, dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç. Takimi në fjalë, që zgjati disa orë u zhvillua në Bruksel.
Pas takimit, Petkoviç tha se janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, e cila, sipas tij, do të miratohet zyrtarisht në një takim të nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosvës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë. Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, shtoi Petkoviç.
Ai tha se ka pasur bisedime edhe për energjetikën dhe se është rënë dakord që bisedimet e mëtutjeshme të zhvillohen me KEDS-in për shërbimet e distribucionit, ndërsa shtoi se ka vënë në dukje shkeljen e marrëveshjes për targa.
“Ne dolëm me propozime konstruktive, Prishtina tani për tani ka refuzuar. Gjëja më e rëndësishme është të insistojmë në mënyrë paqësore”, shtoi ai. Para këtij takimi, Lajçak kishte takuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë ndarazi, ndërsa ishte takuar edhe me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet.
Përmes një postimi në Twitter, Chollet tha se në këtë takim është diskutuar “për mbështetjen tonë të fortë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përkushtimin e përbashkët për ta mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”.
Pas takimeve me Bislimin dhe Petkoviçin, i dërguari evropian shkroi në Tëitter se veç zbatimit të marrëveshjes, do të diskutohet edhe për “çështjet aktuale urgjente”. Bislimi, i cili ka udhëtuar dje drejt Brukselit, ka takuar sot edhe komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Komisionari evropian shkroi në Tëitter se kanë biseduar për agjendën e reformave evropiane dhe për opsionet se si do të mund të ndihmoj Komisioni Evropian në implementimin e atyre që janë arritur në dialog, që ky të jetë i suksesshëm.
Ndërsa në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës u tha se, gjatë takimit, Bislimi theksoi përkushtimin e Kosovës “për të ecur bindshëm drejt Bashkimit Evropian”. Takimi Bislimi-Petkoviç është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.
Kujtojmë se Kurti dhe Vuçiç janë pajtuar për tekstin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, më 27 shkurt.