TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vijon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Prokurorja Clare Lawson tha se në vijim do të deklarohen prova të tjera ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për akuzat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Lawson tha se Thaçi dhe Veseli kanë detyruar disa anëtarë të shquar të LDK-së që të bënin deklarata publike në mbështetje të UÇK-së. Ajo gjithashtu, përmendi edhe rastin ku Thaçi, Veseli e Selimi akuzohen se kishin keqtrajtuar 13 përfaqësues të LDK-së.
“Do të dëgjoni Thaçin dhe Veselin së bashku që i kanë nxjerrë të ndaluarit nga një qendër ndalimi. Këta persona nuk janë parë më kurrë që prej atëherë. Thaçin dhe Veselin, edhe njëherë tjetër bashkë mund të dëgjoni që kërkonin të detyronin anëtarë të shquar të LDK-së që të jepnin deklarata publike në mbështetje të UÇK-së. Thaçin, të shoqëruar kësaj here nga një anëtar i identifikuar i NPK-së dhe nga krimineli i shpallur fajtor, Sabit Geci, që drejton ndalimin dhe merr në pyetje 13 anëtarët e delegacionit parlamentar ndërkohë që ata ishin të lënduar nga rrahjet. Ky është një incident në të cilin ka qenë i përfshirë edhe vetë Selimi”, tha prokurorja.
Laë son tha se në procesin gjyqësor, trupi gjykues do të dëgjojë se si Selimi, në një rast, e merrte në pyetje një të ndaluar dhe se, sipas saj, në një rast tjetër kërcënonte një gazetar.
Çfarë po ndodh sot?
Sot në Gjykatën e Hagës, që prej orës 09:00, ka nisur gjykimi ndaj katër ish-krerëve të lartë të UÇK-së, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, deklarojnë se janë të pafajshëm për 4 akuza për krime lufte dhe 6 akuza për krime kundër njerëzimit. Ata ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale që prej vitit 2020. Një grup shqiptarësh janë mbledhur para gjykatës në Hagë për të protestuar e kërkuar lirimin e tyre.