BALLKAN, 3 Prill 2023, 09:29

Gjukanoviç humbi zgjedhjet, Dritan Abazoviç: Misioni u krye, larguam simbolin e korrupsionit

Gjukanoviç humbi zgjedhjet, Dritan Abazoviç: Misioni u krye,

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ia ka uruar fitoren Jakov Milatoviç-it në garën për president të Malit të Zi, pasi ky i fundit e mposhti me rezultat të thellë kundërkandidatin e tij Milo Gjukanoviç.

“Fitore. Urime Jakov Milatoviç për zgjedhjen si presidenti i parë evropian në historinë e Malit të Zi. Misioni u krye. Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur. Ne do të punojmë së bashku për një shtet evropian, civil dhe ekologjik”, shkroi ai në Twitter.

Gjatë ditës, Abazoviç theksoi se Milatoviç do të jetë presidenti i ri i Malit të Zi, meqë sipas tij, Gjukanoviç është i lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Shqiptarët në Mal të Zi kurrë s’kanë qenë më mirë, të gjithë të integruar në qeveri dhe me të drejta të plota, në Tuz e Ulqin. Gjukanoviç ka 30 vjet në pushtet dhe është i lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Çdokush duhet të jetë i zëvendësueshëm, kurrë nuk do kemi politikanë që rrinë nga 30 vjet në pushtet. Nuk jetojmë në Bjellorusi, jemi në Mal të Zi”, tha Abazoviç për Euro News Albania.

Sipas tij, shqiptarët në Mal të zi janë sot më mirë se kurrë, të integruar në qeverisjen qendrore dhe lokale.

Jakov Milatoviç, kandidati për President nga Lëvizjes “Evropa Tani”, po kryeson bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi tregojnë rezultatet paraprake.

Sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Hulumtim (CEMI), bazuar në 90 për qind të votave të numëruara Milatoviç ka fituar rreth 60.2 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kurse kundërkandidati i tij, presidenti aktual, Millo Gjukanoviç, ka marrë rreth 39.8 për qind.

Sipas të dhënave të CEMI, 71 për qind e votuesve votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi. Millatoviç, ka hyrë në politikë që më pak se tre vjet.

Ai ka thënë se dëshiron që Mali i Zi të anëtarësohet në BE, megjithëse disa nga partitë që e kanë mbështetur kandidaturën e tij janë pro-ruse.

Ekspertët e skenës politike malazeze kishin paralajmëruar se Milatoviç është evropian me veshje ruse. Edhe pse student i Oksfordit dhe intelektual me orientim liberal, ai ishte ministër në qeverinë pro-serbe, e cila ishte mbledhur nga Kisha Ortodokse Serbe.

Nga Serbia, Milatoviç mori mbështetjen e liderit të Partisë Radikale Serbe, të dënuar për krime lufte, Vojislav Sheshel, dhe po ashtu në mbështetje të tij doli edhe presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik. “Mendoj se është keq për popullin serb nëse fiton Milo Gjukanoviç”, tha Dodik.