TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Diplomat e programeve të tjera ndërkombëtare, të lëshuara nga gjimnazet private të licensuara në Shqipëri, do të përfshihen në procedurën e njësimit. Ndryshimi vjen përmes një udhëzimi të ri të Ministrisë së Arsimit, që plotëson rregullat e miratuara në qershor të këtij viti. Udhëzimi fillestar përcaktonte njësimin e diplomës International Baçalaureate, diplomave britanike A-level dhe Cambridge International, si dhe diplomës amerikane High School Diploma. Tani listës i shtohen edhe diplomat e lëshuara në përfundim të programeve të tjera ndërkombëtare.
Ndryshimet prekin edhe dokumentet që duhet të paraqesë nxënësi. Diploma kërkohet në kopje të noterizuar, e përkthyer nga përkthyes i licencuar. Për vitet e shkollës së mesme mund të paraqitet lista e notave e shkarkuar nga sistemi SMIP, me vulë elektronike, ose një vërtetim zyrtar nga shkolla, i konfirmuar nga zyra vendore arsimore. Kur nxënësi ka dhënë provime përfundimtare, dorëzohen edhe rezultatet e tyre, të noterizuara dhe të përkthyera.
Njësimi kryhet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, e cila verifikon dokumentacionin, programin e ndjekur dhe rezultatet e nxënësit. Kjo procedurë u përket diplomave të programeve të huaja që lëshohen nga shkolla private brenda Shqipërisë. Diplomat e nxënësve që kanë kryer shkollën e mesme jashtë vendit trajtohen sipas një procedure tjetër. Procedura përcakton njëvlershmërinë në Shqipëri të diplomave të programeve ndërkombëtare, edhe kur ato lëshohen nga shkolla private të licencuara në vend.