AKTUALITET, 24 September 2026, 15:15

Sa po përdoren aplikacionet në Shqipëri? ChatGPT dhe Temu kryesojnë, por TikTok nuk mbetet pas

Tregu i aplikacioneve po tregon gjithnjë e më shumë ndryshime në mënyrën se si përdoruesit zgjedhin të shpenzojnë kohën, të blejnë online, të komunikojnë apo të përdorin shërbimet digjitale. Në Shqipëri, listat e aplikacioneve falas më të renditura në iPhone dhe Android nxjerrin në pah disa ngjashmëri, por edhe preferenca të ndryshme mes dy ekosistemeve.

Në të dyja platformat, ChatGPT dhe Temu janë ndër aplikacionet që pozicionohen në krye. Në listën e Android, ChatGPT renditet në vendin e parë, ndërsa Temu në vendin e dytë. Në iPhone, ChatGPT shfaqet në vendin e dytë, ndërsa Temu në të tretin. Në listën e iPhone, pas ChatGPT dhe Temu, shfaqet WhatsApp, i ndjekur nga TikTok. Më pas renditen aplikacione për fotografi dhe rikuperim të materialeve, si HD Camera Filter, 4K Camera dhe Photo Easy Recovery.

Në listë shfaqet gjithashtu dhe Instagram, duke treguar një kombinim mes komunikimit, rrjeteve sociale, argëtimit dhe shërbimeve të përditshme. Pra, në këtë renditje të iPhone, aplikacionet që lidhen me komunikimin, videot, fotografinë dhe rrjetet sociale zënë një pjesë të rëndësishme. Në Android, situata është disi më e larmishme. Pas ChatGPT dhe Temu, në listë shfaqet WinkRoom, ndërsa më pas aplikacione për blerjen e veshjeve. Një tjetër veçori është prania e aplikacioneve financiare. Në vendin e pestë renditen aplikacione bankare, ndërsa më poshtë shfaqen Google Gemini dhe Google Maps. Në fund të listës së paraqitur janë SMIP dhe StoryReel, Drama Shorts & TV, duke shtuar edhe shërbimet publike/digjitale dhe përmbajtjen e shkurtër video.

Nëse ChatGPT dhe Temu janë pika e përbashkët e dy listave, pjesa tjetër tregon dy profile të ndryshme përdorimi, në iPhone spikasin komunikimi, rrjetet sociale dhe përmbajtja vizuale, ndërsa në Android krahas argëtimit dhe blerjeve shfaqen më shumë aplikacione të lidhura me bankingun, hartat dhe shërbimet digjitale.