AKTUALITET, 24 September 2026, 13:07

Tensione në protestën te Kuvendi, përplasje me policinë afër selisë së PD-së, 10 persona të shoqëruar për sulm ndaj efektivëve!

Është tensionuar situata te Kuvendi, ku janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë ditën e sotme (24 shtator).

Gjatë tensioneve të paktën janë shoqëruar  të paktën 10 persona nga uniformat blu.

Tensionet nisën pas hedhjes së një tullumbaceje me ujë dhe ngjyrë në drejtim të efektivëve të policisë.

Më pas, policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit dhe për të liruar rrugën e bllokuar, ndërsa pati edhe hedhje sporadike vezësh. Policia kërkon lirimin e rrugës kryesore që të bëhet qarkullimi normal i automjeteve.

Protestuesit u zhvendosën nga zona pranë Parlamentit drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas pranë Kishës Katolike, ku u përballën sërish me kordonët e policisë. Disa prej tyre u ulën në rrugë, duke deklaruar se protesta ishte paqësore dhe duke kundërshtuar ndërhyrjen e forcave të rendit.

Për shkak të protestës, trafiku në disa segmente pranë Kuvendit dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” u devijua përkohësisht. Në terren u angazhuan forcat “Shqiponja”, efektivë të Policisë së Shtetit dhe disa automjete policie, informon A2CNN.

Ndërkohë, brenda Kuvendit vijon seanca plenare e nisur në orën 10:00, e shoqëruar me debate dhe akuza të ndërsjella mes opozitës dhe mazhorancës pas arrestimit të kreut të SHISH Vlora Hyseni.