AKTUALITET, 2 Shkurt 2018, 00:20

Arrestohet ish-drejtuesi i rëndësishëm i LSi: Ja emri...

Arrestohet ish-drejtuesi i rëndësishëm i LSi: Ja emri...

Mbrëmjen e së enjtes është arrestuar, ish-drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve që vinte nga radhët e LSI, Dashamir Xhika. Balkanweb mëson se Xhika u kallzua penalisht pak kohë më parë nga ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, për abuzimet me aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përmbyllur procesin e auditit të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Në vijim të konkluzioneve të këtij auditi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka dërguar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin penal në ngarkim të shtetasve: Dashamir Xhika, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë. Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Albens Alite, Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë. Përmes kallëzimit, kërkohet ndjekja penale ndaj personave të kallëzuar dhe persona të tjerë, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal. Konstatohet se personat e lartëpërmendur, si dhe persona të tjerë ende të paidentikuar, veçmas dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan.