TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një zjarr masiv ka shpërthyer në zonën e Daiasit, pranë Lundrës në Tiranë, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe me pemë dhe bimësi. Zjarri vijon të jetë aktiv edhe gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa erërat lokale dhe bimësia po favorizojnë përhapjen e flakëve.
Operacioni për shuarjen e zjarrit po ndiqet nga afër nga forcat zjarrfikëse të Tiranës dhe Kamzës, ndërsa në ndihmë të tyre janë kërkuar edhe forca nga Elbasani.
Në zonën më kritike të zjarrit ndodhet drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, së bashku me strukturat e tjera policore, të cilat po punojnë për menaxhimin e situatës.
Deri tani, zjarri i përmasave të mëdha është përqendruar në zonat kodrinore dhe nuk raportohet të jetë pranë banesave apo objekteve. Strukturat zjarrfikëse po punojnë për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt zonave më të rrezikuara.
Për shkak të errësirës, ndërhyrja nga ajri nuk është e mundur, ndërsa operacioni po vijon nga toka.
Zjarret sjellin ndërprerje të furnizimit me ujë në Lundër
Ndërkohë, situata e zjarreve në zonën e Priskës dhe Farkës ka sjellë edhe probleme me furnizimin me ujë.
Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka njoftuar se stacioni i pompimit në Priskë është fikur për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Për pasojë, banorët e Lundrës do të përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë.
“Për shkak të situatës së zjarreve në zonën e Priskës dhe të Farkës, Stacioni i Pompit në Priskë është fikur pasi ka ndërprerje të energjisë elektrike. Për rrjedhojë, në zonën e Lundrës do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë. UKT do të dalë me një njoftim të dytë me rikthimin e situatës normale”, njoftoi UKT.
Situata në zonën e Daiasit dhe rrethinat e Lundrës vijon të monitorohet, ndërsa forcat në terren po punojnë për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit.