AKTUALITET, 14 August 2026, 09:54

Bilanc negativ/ Shqipëria po de-industrializohet, me rënien më të fortë të prodhimit në Europë pas Ukrainës

Industria dhe zhvillimi i saj janë një hap i domosdoshëm për të çuar një vend drejt prosperitetit. Por Shqipëria në vend që të çojë sektorin në një nivel tjetër të zinxhirit të vlerës, po shkon në drejtim të kundërt duke shkatërruar edhe pak industri që ka.

Të dhënat zyrtare të Eurostat tregojnë se prodhimi industrial në Shqipëri ka shënuar një rënie të pandërprerë pas vitit 2021, duke e renditur vendin në fund të Europës për ecurinë e këtij sektori gjatë periudhës 2021-2025.

Nga 35 vendet europiane të përfshira në të dhëna, vetëm Ukraina, ekonomia e së cilës vijon të ndikohet drejtpërdrejt nga lufta, kishte një rezultat më të dobët. Në Ukrainë, prodhimi industrial në vitin 2025 ishte 30.4% nën nivelin e vitit 2021.

Në Shqipëri, indeksi u rrit fillimisht në 102.9 pikë më 2022, por më pas nisi një tkurrje të shpejtë, në 94 pikë më 2023, në 87 pikë më 2024 dhe në 84.7 pikë më 2025. Krahasuar vetëm me vitin 2022, kur u arrit niveli më i lartë i periudhës, prodhimi industrial është pakësuar me rreth 17.7%.

Edhe Greqia e Kroacia, dy ekonomi të rajonit ku turizmi ka një peshë të rëndësishme, arritën të zgjeronin aktivitetin industrial. Greqia shënoi një rritje prej 12.7% kundrejt vitit 2021, ndërsa Kroacia prej 2.3%.
Nga 35 ekonomitë e përfshira, 19 kishin në vitin 2025 një prodhim industrial më të lartë se në vitin 2021, ndërsa 16 regjistruan rënie.

Rritjen më të madhe e shënoi Danimarka, ku prodhimi industrial ishte 28.8% mbi nivelin e vitit 2021. Ajo ndiqej nga Irlanda me 22.4%, Malta me 16.6%, Greqia me 12.7%, Polonia me 12.5% dhe Qipro me 12.1%.
Industria europiane është përballur gjatë këtyre viteve me rritjen e kostove të energjisë, dobësimin e kërkesës së jashtme, konkurrencën më të fortë nga Kina dhe probleme në sektorin e automobilave. Këto goditje kanë prekur veçanërisht ekonomitë me industri të rëndë dhe me përdorim intensiv të energjisë.

Në Shqipëri, dobësimi i industrisë lidhet me ndërthurjen e problemeve në industrinë nxjerrëse, prodhimin e energjisë dhe manifakturën e orientuar drejt eksporteve. Forcimi i lekut ka ulur të ardhurat e kompanive që shesin në euro, ndërsa kostot e pagave dhe të prodhimit janë rritur. Në të njëjtën kohë, kompanitë shqiptare po përballen me konkurrencë më të fortë nga prodhuesit me kosto më të ulët në Azi. Komisioni Europian vlerëson se eksportet përpunuese të Shqipërisë janë goditur nga mbiçmimi i lekut, rritja e kostos së punës dhe konkurrenca e jashtme.

Struktura e industrisë shqiptare mbetet e përqendruar në degë me vlerë të shtuar relativisht të ulët, si tekstilet dhe këpucët, si dhe në produkte të lidhura me lëndët e para, përfshirë naftën, metalet, çimenton dhe energjinë. Kjo e bën prodhimin më të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare, kursit të këmbimit dhe kushteve atmosferike që ndikojnë në prodhimin hidroenergjetik.

Në ndryshim nga vendet që kanë zgjeruar farmaceutikën, teknologjinë, makineritë ose sektorë të tjerë me produktivitet të lartë, rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë viteve të fundit është mbështetur më shumë te turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Si rrjedhojë, zgjerimi i ekonomisë nuk është shoqëruar me një rimëkëmbje të prodhimit industrial. /Monitor.al