AKTUALITET, 28 Janar 2019, 16:32

Akuzat e PD, reagon Urgjenca Kombëtare: Nuk ishin ambiente për pacientët

Akuzat e PD, reagon Urgjenca Kombëtare: Nuk ishin ambiente për

Lidhur me videon e publikuar sot nga Partia Demokratike, drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi në një prononcim për media, se ambientet e transmetuara në video, nuk janë ambiente të ofrimit të shërbimit të pacientëve.

Ky ambient ka qenë pjesë e qëndrimit të stafit, kur shërbimi i Urgjencës së qytetit të Tiranës ishte i organizuar vetëm në atë qendër.

Më organizimin e ri të urgjencës paraspitaliore me Urdhër Ministri nr.379 -dt 31.08.2016 “Për riogranizimin e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore paraspitalore në prefekturën e Tiranës” janë përcaktuar 18 postacione për qarkun e Tiranës. Riorganizimi i shërbimit po bën të mundur ofrimin e shërbimit të urgjencës në banesë, tek pacienti.

Kjo vërtetohet me rezultatet e deritanishme, të cilat tregojnë se nga 20-25 vizita në ditë në 2016 sot bëhen deri 112 vizita në ditë vetëm në qytetin e Tiranës.

Ministria e Shëndetësisë në projektin e rehabilitimit të Qendrave Shëndetësore, ka parashikuar disa prej tyre si postacione vendqëndrimi të autoambulancave, mes tyre Qendra Shëndetësore nr 8, e sapo rehabilituar në Tiranë. Theksojmë se pika e Urgjencës së Tiranës është një postacion për lëvizjen e autoambulancave, e cila tashmë do të vendoset tek Qendra Shëndetësore nr.8, që ofron shërbim 24 orë, ndërsa godina e ish-Urgjencës së Tiranës do të rehabilitohet.