AKTUALITET, 26 Maj 2026, 12:35

Arresti/ Zbardhet dëshmia e Petri Bozos, pasi aksidentoi për vdekje 7-vjeçarin: Isha me shpejtësi të ulët. Kur pashë përplasjen, tentova të devijoj

Arresti/ Zbardhet dëshmia e Petri Bozos, pasi aksidentoi për vdekje

Regjisori Petri Bozo është arrestuar pas aksidentit tragjik në Elbasan, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar.

Media ka zbardhur dëshminë e parë që dha në polici Petri Bozo, pasi duke drejtuar një makinë përplasi për vdekje një 7-vjeçar në fshatin Mengël, në aksin Elbasan-Librazhd.

Regjisori Bozo ka thënë se fillimisht nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte goditur, dhe pas përplasjes kishte tentuar të devijonte automjetin.

“Kam qenë me shpejtësi të ulët për shkak të kufizuesit të shpejtësisë, ‘policit të shtrirë’ në rrugë. Më pas kam goditur një objekt.

Nuk e kam parë çfarë ka qenë, kam tentuar të devijoj kur ndjeva përplasjen. Kur kam dalë kam parë fëmijën”, është shprehur ai.

Kujtojmë që Petri Bozo u arrestua sot nga policia në lidhje me ngjarjen. Dinamika dhe rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa policia nuk ka dhënë ende një version zyrtar të ngjarjes.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, pasi kishin lënë vajzën në shkollë, nëna dhe djali po drejtoheshin drejt një dyqani pranë saj.

Në ato momente, dyshohet se 7-vjeçari i është shkëputur nga dora së ëmës dhe është përplasur nga automjeti që drejtohej nga regjisori Bozo.