AKTUALITET, 25 Tetor 2025, 15:36

Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Policia në gjykata? Oficerët e rendit kontrolle jashtë ndërtesave

Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Policia në gjykata? Oficerët e rendit

20 ditë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, pavarësisht përpjekjeve individuale, protokolli i kontrolleve në gjykata mbetet i njëjtë. Edhe pse të gjithë gjyqtarët në mbledhjen e përgjithshme kërkuan rikthimin e policisë brenda ambienteve, kjo gjë nuk mund të ndodhë pa ndryshuar ligji. Për këtë arsye, Ilir Rusi, kreu i KLGJ, mbajti një takim me prokurorin e përgjithshëm Olsian Çela dhe Ilir Prodën, drejtorin e përgjithshëm të Policisë.

Në një njoftim zyrtar të KLGJ përmendet se të tre zyrtarët kanë rënë dakord për nevojën e ndryshimeve ligjore për sigurinë. KLGJ ka propozuar që, ndërkohë që të ndodhin ndryshimet, policia do të trajnojë stafin administrativ të gjykatave të ngarkuara me ligj për të kryer kontrollet e brendshme. Oficerët e rendit, pavarësisht patrullimeve, duhet të kryejnë kontrollin jashtë këtij perimetri dhe të ndërhyjnë vetëm në rast se njoftohen për incidente.

Pas vrasjes u numërua një shifër e lartë deklaratash zyrtare me kërkesën për protokoll fiks të sigurisë. Ndërkohë, vrasësi i gjyqtarit Elvis Shkëmbi nuk e ka apeluar masën e arrestit me burg. Të hënën, në të njëjtën gjykatë ku ndodhi krimi, kthehet me kërkesën për të hequr masën e shkallës së parë xhaxhai i tij, Gjon Shkëmbi. Po ashtu, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, i dyshuar se shpërdoroi detyrën duke mos kontrolluar dhe vlerësuar alarmin e detektorit që tregoi se vrasësi po hynte me një pistoletë.