AKTUALITET, 25 Tetor 2025, 12:42

U arrestua pas përplasjes me prokurorin, avokati Barjami: Jemi mburojë e qytetarëve! Cenimi ynë është edhe ndaj themeleve të shtetit të së drejtës

U arrestua pas përplasjes me prokurorin, avokati Barjami: Jemi mburojë

Avokati Ulian Barjami, ka reaguar në rrjete sociale lidhur me Ditën Europiane të Avokatëve, duke rikujtuar arrestimin e tij pas një përplasjeje me prokurorin në Elbasan në sallën e gjyqit.

Barjami shkruan se avokatët janë mburojë e qytetarëve ndaj padrejtësive dhe se kjo ditë të shfrytëzohet për të reflektuar dhe për të mbrojtur dinjitetin e këtij profesioni.

Ai shprehet se vetë u gjend viktimë e një ndalimi të paligjshëm, që sipas tij, nuk ishte vetëm një përvojë personale, por ishte një kujtesë e fortë se respekti për avokatin është respekt për drejtësinë.

“Kjo ditë na kujton se avokatët janë mburoja e qytetarëve përballë çdo padrejtësie. Çdo cenim ndaj tyre është cenim ndaj vetë themeleve të shtetit të së drejtës”, ka shkruar ai.

Postimi i Ulian Barjamit

Sot, në Ditën Europiane të Avokatëve, ndjej më shumë se kurrë peshën dhe përgjegjësinë që mbart ky profesion fisnik. Ngjarja e fundit, ku u gjenda viktimë e një ndalimi të paligjshëm, nuk ishte vetëm një përvojë personale, ishte një kujtesë e fortë se respekti për avokatin është respekt për drejtësinë.

Kjo ditë na kujton se avokatët janë mburoja e qytetarëve përballë çdo padrejtësie. Çdo cenim ndaj tyre është cenim ndaj vetë themeleve të shtetit të së drejtës.

Le ta shfrytëzojmë këtë ditë për të reflektuar, për t’u bashkuar dhe për të mbrojtur dinjitetin e profesionit tonë. Sepse drejtësia nuk ekziston pa avokatin, dhe avokati nuk mund të ekzistojë pa respektin që i detyrohemi si shoqëri.