AKTUALITET, 28 Shtator 2025, 11:02

Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, të shoqëruarit në polici: Na qëlloi me breshëri një person misterioz

Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, të shoqëruarit
Edoardo Sarchi

Janë mësuar pjesë nga dëshmia që kanë dhënë në Policinë e Gjirokastrës 4 personat e shoqëruar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi 44 vjeç, i cili u gjet i vdekur të shtunën në Tepelenë.

Nga hetimet e deritashme për rastin e vrasjes së Edoardo Sarchi, biznesmenit italian mëngjesin e ditës së djeshme, konfirmohet se nuk bëhet fjalë për vrasje nga pakujdesia, por për një atentat të kryer nga një person i panjohur ende nga Policia e Gjirokastrës.

Ekspertiza e bërë në vendin e ngjarjes, konfirmon se italiani nën shoqërinë e Eqrem Braçit dhe dy djemve të tij, ishin duke qarkulluar nga drejtimi Nivicë në atë të Salarisë, në Tepelenë.

Nga dëshmitë e bëra përgjatë ditës së djeshme në Drejtorinë Vendore të Policisë së Gjirokastrës, është ndërtuar edhe skena e krimit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Dilan mes Nivicës dhe Salarisë.

Sipas dëshmive të katër personave që u morën në cilësinë e dëshmitarit, mësohet se ata kanë qenë duke udhëtuar së bashku me dy automjetet fuoristradë në aksin e sipërpërmendur.

Fillimisht kanë dëgjuar tre të shtëna të cilat kanë qenë shumë afër çka bëri që të ndalej automjeti i parë tip Land Rover në bordin e të cilit ishte biznesmeni italian dhe njëri prej personave të shoqëruar.

Pasi kanë qëndruar për 2 minuta, është dëgjuar një breshëri tjetër, ndoshta në ajër.

Përpara rrugës në një distancë prej 10-15 metrash shfaqet një person me armë në dorë automatik i cili shkreh armën në drejtim të gomave të Land Roverit duke mos thënë asnjë fjalë.

Në këtë moment, biznesmeni italian dhe personat e tjerë në bord fshihen pas mjetit shoqëruar me britmat e frikës.

Fillimisht u ça goma e përparme e mjetit, ndërsa shkrehja e dytë e armës automatike nga personi misterioz, shkaktoi plagosjen e biznesmenit italian.

Mendohet se ky i fundit është lënduar nga një plumb rikoshet të cilën e kapi në pjesën e femurit të këmbës së djathtë.

Pas shkrehjes së armës nga agresori misterioz, biznesmeni italian është ankuar për plagën që mori.

Hemoragjia ka qenë e madhe që në momentin e parë, ndërkohë që djemtë e Eqrem Braçit lajmërojnë policinë për atë çfarë kishte ndodhur që një person misterioz i pati qëlluar me breshëri arme në vendin e quajtur Dilan.

Policia dhe autoambulanca kanë ardhur në vendngjarje duke transportuar trupin e pajetë të italianit dhe shoqëruar në polici Eqrem, Gazmend dhe Daniel Braçin, si dhe Armir Hitoveizin bari nga fshati Nivicë në cilësinë e dëshmitarit.

Mësohet se katër personat që kanë dhënë dëshmi dje, mund të thirren përsëri në ditët pasuese në varësi të dinamikës së ngjarjes.

Policia e Gjirokastrës ndërkohë ka ngritur katër postblloqe në zonën e Kurveleshit për të bërë të mundur gjetjen e autorit.

Deri më tani, janë angazhuar dy grupe specialistësh që po krehin zonën që nga vendi i ngjarjes e deri në periferi të fshatit Gusmar në veri e në jug deri në fshatin Dukaj.

Burime policore thonë për Report Tv thonë për hetuesit se kanë identifikuar një person në Vlorë si autor të dyshuar, por nuk bëhen me dije më shumë detaje.