AKTUALITET, 24 Tetor 2025, 15:53

Vodhi 200 mijë litra naftë nga një anije në Durrës dhe korruptoi policin, GJKKO lë në burg Juxhin Kokën

Vodhi 200 mijë litra naftë nga një anije në Durrës dhe

GJKKO ka lënë në burg 31-vjeçarin Juxhin Koka, i cili u ekstradua nga Spanja pasi SPAK e akuzon se ka korruptuar punonjësit e policisë dhe ka vjedhur bashkë me persona të tjerë 200 mijë litra naftë nga një anije që ishte ankoruar në portin e Durrësit.

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 23.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “1. Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosura për të pandehurin Juxhin Koka; 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për të pandehurin Juxhin Koka, i biri i M. dhe i N., i datëlindjes ****, lindur dhe banues në ****, me numër personal ****, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Kondrabandë për mallrat për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë apo të pjeshëm, nga detyrimet doganore, ose të akcizës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksion publike” kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 172/3 e 25, 244 paragrafi 2 e 25, 134/3 e 25 të Kodit Penal.”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 248, 228, 229 dhe 230 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 110, datë 24.10.2025, vendosi:

1. Vazhdimin e zbatimit ndaj të pandehurit Juxhin M. Koka, të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Kondrabandë për mallrat për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë apo të pjeshëm, nga detyrimet doganore, ose të akcizës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksion publike” kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 172/3 e 25, 244 paragrafi 2 e 25, 134/3 e 25 të Kodit Penal, caktuar me vendimin nr. 18, datë 19.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.