AKTUALITET, 24 Tetor 2025, 12:29

Drafti/ Komisioni i Posaçëm të Reformës Zgjedhore, publikohet projektvendimi i dakordësuar mes palëve! Ja fokusi e çfarë parashikon

Drafti/ Komisioni i Posaçëm të Reformës Zgjedhore,

Kuvendi i Shqipërisë ka paraqitur projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili do të ketë për detyrë hartimin e ndryshimeve ligjore dhe trajtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Sipas dokumentit zyrtar, komisioni do të ketë në fokus hartimin e ndryshimeve ligjore për reformën zgjedhore, shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe ato parlamentare të 11 majit 2025, si dhe për zgjedhjet e mëparshme që nuk janë trajtuar, vlerësimin e propozimeve të institucioneve zgjedhore, partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse si dhe hartimin e një ligji të ri për financimin e partive politike.

Komisioni do të ngrihet mbi parimin e barazisë pozitë–opozitë, me 16 anëtarë, 7 nga Partia Socialiste, 7 nga Partia Demokratike dhe 2 nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Drejtimin e komisionit do ta marrin dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD.

Pranë komisionit do të ngrihet edhe një grup ekspertësh teknikë, ndërsa në proces do të marrin pjesë me rol këshillues përfaqësues të OSBE-së, OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias, si dhe ekspertë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Zbardhet varianti i dakordësuar mes partive, për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore.

II. Komisioni i posaçëm ka objekt të veprimtarisë së tij:
a) hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore;
b) trajtimin e rekomandimeve në raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025; si dhe të zgjedhjeve të mëparshme të patrajtuara;
c) trajtimin e rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse;
ç) hartimin e një ligji për financimin e partive politike.

III. Komisioni i Posaçëm ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë. Në përbërje të tij do të ketë 16 anëtarë, nga të cilët 7 anëtarë janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 7 anëtarë janë përfaqësues nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dhe 2 anëtarë nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 maj 2025. Emrat e anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit.

IV. Komisioni drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.

V. Pranë Komisionit ngrihet grupi i ekspertëve teknikë. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të tij përcaktohen me vendim të Komisionit të Posaçëm Parlamentar.

VI. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ekspertë të OSBE/ODIHR-it, Këshilli i Europës, ekspertë të Komisionit të Venecias, si dhe përfaqësues dhe/ose ekspertë të BE-së dhe SHBA-ve ftohen të ndjekin, të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e Komisionit dhe të grupit të ekspertëve teknikë të ngritur pranë tij.

VII. Çdo parti që përfaqësohet në komision ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Palët duhet të angazhohen të gjejnë konsensusin në lidhje me to. Për çështje të veçanta për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus do të vlerësohet dhe kërkohet asistenca e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

VIII. Mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të Komisionit. Në mbledhjet e Komisionit mund të marrin pjesë pa të drejtë vote deputetë të partive të tjera parlamentare të cilët kanë të drejtë të bëjnë propozime për ndryshime në legjislacionin e Reformës Zgjedhore. Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet. Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, por vetëm kur kanë njëkohësisht konsensusin e të dy bashkëkryetarëve.

IX. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat 9-mujor nga miratimi i këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të dy bashkëkryetarëve, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit me një vendim të veçantë të Kuvendit.

X. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për krijimin e kushteve të punës, si dhe për mbështetjen me burime njerëzore, financiare dhe logjistike të veprimtarisë së Komisionit dhe të grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Drafti/ Komisioni i Posaçëm të Reformës Zgjedhore,

Drafti/ Komisioni i Posaçëm të Reformës Zgjedhore,