AKTUALITET, 14 Korrik 2025, 21:24

“Vetëm unë mora 10 mijë vota”, Topi tregon se si u kthye Berisha në pushtet në vitin 2005

“Vetëm unë mora 10 mijë vota”, Topi tregon se si u

Partia Demokratike e rrëzua nga pushteti pas revoltave të dhunshme të marsit 1997 u rikthye në pushtet pas 8 vitesh, duke ndërprerë qeverisjen e PS-së. Bamir Topi, ish-nën-kryetar i PD-së në atë kohë, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se rikthimi i PD-së nuk ishte vetëm meritë e Berishës, por e shumë njerëzve, siç ishte edhe ai vetë, duke u shprehur se vetëm në lagjen ku banonte ai kishte arritur të merrte 10 mijë vota në zgjedhjet e 3 korrikut 2005.

“Berisha në vitin 2005 nuk erdhi i vetëm dhe gjithë tranzicionin shqiptar e lidhin me 2-3 njerëz dhe Berisha vijon të jetë pjesë e debatit që kur ka ardhur në krye të PD-së dhe deri sot.

Në 2005 nuk duhet harruar kontributin e atyre njerëzve që u afruan dhe patëm një aktivitet të jashtëzakonshëm politik në të gjithë Shqipërinë.

Unë kam patur drejtimin politik të Tiranës dhe kisha shumë lidhje, isha president i klubit të Tiranës. Unë kam qenë vetëm në njësinë 9 që ka qenë shtëpia ime ime kam marrë 10 mijë vota si individ dhe kemi humbur vetëm njësinë 5 ku kandidonte Apollon Baçe përballë Ermelinda Meksit. Pra Berisha nuk erdhi vetëm, por me shumë të tjerë dhe e ndihmoi edhe dalja e Ilir Metës nga PS.

Fatos Nano mbetet për mua një politikan liberal, profesionist dhe qytetar.

Në 24 korrik 2007 unë u bëra president. Fatos Nano iu drejtua PS që drejtohej nga Edi Rama që të kandidonte për president dhe grupi i tij votoi për mua në raundin e 4-t”- tha Topi.