AKTUALITET, 14 Korrik 2025, 21:16

“Ishte serioz dhe natyrë ambicioze”, Topi tregon njohjen me Berishën dhe si e bindi të bëhej pjesë e qeverisë së PD-së

“Ishte serioz dhe natyrë ambicioze”, Topi tregon njohjen me

Bamir Topi u bë pjesë e PD-së së drejtuar nga Sali Berisha që në vitet ’90. Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Topi tregoi se për Berishën i kishte treguar vëllai i madh, mjeku Flamur Topi, sepse ishin bashkë në një shkollë. Ai zbuloi edhe se si e bindi Berisha që të futej në qeverinë e drejtuar nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi, pas zgjedhjeve të 26 majit 1996. 

“Në vitin 1990 isha në Institutin e Kërkimeve Veterinare, shef departamenti, pas një periudhe doktorature dhe fizikisht isha në Institut, por mendjen e kisha se çfarë po ndodhte. Takimet dhe ofertat kanë qenë të forta që në vitin 1992. Në vitin 1996 Berisha më tha të kandidoja për PD-në.  Në vijim të bisedave që kishim patur që më parë, tani, tha ai ka ardhur koha, se besoj edhe karrierën akademike e ke mbyllur. Unë në vitin 1995 sapo kisha marrë titullin profesor. Berisha ishte shok me tim vëlla, Flamurin, që në Teknikumin Mjekësor dhe meqë shtëpia jonë ishte në qendër të Tiranës, sipas rrëfimeve të Flamurit, vinin në shtëpinë tonë.

Berisha më dukej një njeri jashtëzakonisht i motivuar, serioz dhe natyrë ambicioze për misionin që kishte.

Kur mora në drejtim Institutin e Mjekësisë Veterinare gjendja ishte skandaloze sepse ishte prishur gjithçka dhe solla frymën e organizimit që kisha parë në Itali. Në vitet 1992-1996 instituti ishte bërë lider, por nuk vazhdoja dot më tej se pengohesha nga konjukturat në ministrinë që mbulonte institutin. Pastaj u emërova ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit.

Kur vinin delegacionet e huaja në Shqipëri kishin shqetësim për atë që po ndodhte në vend në vitin 1996 me firmat piramidale që po dilnin jashtë kontrollit dhe ne bisedat i bënin mes kolegëve dhe kryeministrin Meksi.

Po të kishin ndërhyrë për t’i mbyllur firmat piramidale, nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi në vitin 1997, me rrënim financiar, revoltë popullore, shfrytëzim politik nga opozita e asaj kohe. Viti 1997 ka faktorë multidimensionalë”- tha Topi.