AKTUALITET, 14 Korrik 2025, 19:10

Drejtorët në bashkitë e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe dorëzojnë dorëheqjet. Puka dhe Fushë Arrëzi asnjë ndryshim në stafe

Drejtorët në bashkitë e Shkodrës dhe Malësisë

Urdhëri i Kryeministrit Rama për rifreskim të stafeve vendore ka vënë në lëvizje bashkitë e Qarkut Shkodër.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i Bashkisë Shkodër ku kryebashkiaku Beci ka mbledhur pasditën e sotme drejtorët dhe administratorët vendorë. Dorëheqje ka patur edhe në Bashkinë Malësi e madhe.

Burime nga Bashkia Malësi e Madhe, bëjnë me dije se kanë dhënë dorëheqjen administratorët e njësive administrative dhe 2 zëvendëskryetarët e bashkisë. Mësohet se pas dorëheqjeve të depozituara, do të kryhet një analizë e detajuar për performancën e secilit nga drejtuesit. Pas saj, do të merren edhe vendimet për miratimin ose jo të dorëheqjeve të paraqitura sot.

Në bashkinë e Vau Dejësit është parashikuar që mbledhja urgjente të jetë paraditën e së martës ku do të ketë ndryshime në radhët e drejtorëve dhe administratorëve.

Ndryshe është situata në Bashkitë e djathta të Pukës dhe Fushë Arrëzit. Kryebashkiakët atje nuk kanë kërkuar apo planifikuar ndryshime duke mos plotesuar kështu porositë e Kryeministrit i cili duket se urdhërat më së shumti i ka për bashkitë e majta..

Në përgjigje të interesit të mediave ju bej me dije se të gjithë Administratorët e Njësive Vendore në Bashkinë Shkodër kanë paraqitur pranë Bashkisë Shkodër dorëheqjet nga pozicionet e tyre.