TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vdekja e 40-vjeçarit Mirel Çokaj, i gjetur i pajetë në një humnerë në zonën e Kozhnjes, në Malësinë e Madhe, po hap gjithnjë e më shumë pikëpyetje dhe akuza të forta. Ndërsa policia deklaron se ngjarja ka qenë një aksident, familjarët e viktimës kanë hedhur poshtë këtë version, duke pretenduar se bëhet fjalë për një vrasje të lidhur ngushtë me aktivitetin kriminal të kultivimit të drogës në zonë.
Një ndër zërat më të fortë është ai i kushëririt të viktimës, Rifat Çokaj, ish-oficer policie, i cili aktualisht jeton në SHBA. Ai ka akuzuar hapur se Mireli nuk ka humbur jetën rastësisht, por është vrarë nga personat me të cilët kultivonte drogë, për shkak të mosndarjes së fitimeve. “E shtynë në humnerë që të mos i jepnin hakun. Kjo nuk është aksident, është vrasje e mirëorganizuar”, deklaron ai.
Sipas tij, viktima nuk ishte i vetëm në momentet para ngjarjes. Njëri prej personave që lajmëroi policinë, sipas kushëririt, dinte saktësisht vendin ku ndodhej trupi, çka e bën edhe më të dyshimtë gjithë situatën. Familjarët pretendojnë gjithashtu se policia është treguar e painteresuar për të kontrolluar parcelat e drogës në zonë, ku sipas tyre nuk bëhet fjalë për sasi të vogla, por për një aktivitet të gjerë kriminal.
Mirel Çokaj nuk ishte i panjohur për drejtësinë. Ai kishte një të shkuar të lidhur me çështje droge dhe, sipas të afërmve, kishte vazhduar të ruante marrëdhënie me persona të përfshirë në kultivim e trafikim. Për këtë arsye, familja ngre dyshimin se vdekja e tij është pjesë e një konflikti të brendshëm mes grupeve të përfshira në këtë aktivitet.
“Policia nuk ka bërë asnjë veprim serioz për hetim. Nuk ka marrë në pyetje shokët që ishin me të, nuk ka kontrolluar parcelat, nuk ka ndjekur pistën e krimit. U mjaftuan ta nxirrnin trupin dhe të deklaronin ‘aksident’”, thotë ndër të tjera kushëriri i viktimës.
Ndërkohë, Prokuroria nuk ka dalë ende me një qëndrim të qartë mbi këtë çështje, ndërsa rasti ka shkaktuar debat të madh në opinionin publik për shkak të kontradiktave mes versionit zyrtar dhe akuzave të familjarëve.