TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Vepra penale e mashtrimit me kreditë pësoi rënie të ndjeshme vitin e kaluar.
Sipas informacionit nga Prokuroria e Përgjithshme, në vitin 2022 numri i procedimeve për këtë vepër penale zbriti në 33 raste, nga 64 raste që ishin regjistruar në vitin 2021. Procedimet për këtë vepër penale kanë rënë për herë të parë pas tre vitesh radhazi në rritje.
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale të klasifikuar si mashtrime për vitin 2022 arriti në 5.43%, ndërsa në vitin 2021 kishte qenë 9.4%. Por, numri i të pandehurve të dënuar për këtë vepër penale vitin e kaluar pothuajse u dyfishua në 13, nga që kishte qenë për vitin 2021.
Neni 146 i Kodit Penal e përkufizon mashtrimin në kredi si “mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar padrejtësisht kredi, duke regjistruar në mënyrë fiktive në hipotekë objekte që nuk ekzistojnë, ose tej vlerës së tyre reale, ose në pronësi të një tjetri, të bëra me qëllim për të mos kthyer më kredinë e marrë”.
Sipas Kodit Penal, kjo vepër dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.
Forma më e përhapur e këtij mashtrimi në vitet e fundit ka qenë marrja e kredive bankare me dokumente të falsifikuara ose duke përdorur mjete identifikimi të personave të tjerë. Këto vepra penale janë bërë shqetësim për disa banka dhe subjekte financiare jo banka, jo vetëm për shkak të dëmit ekonomik të pësuar, por edhe për shkak të dëmit të konsiderueshëm reputacional.
Personat e tretë që kanë rënë viktimë e mashtrimit nëpërmjet përdorimit të dokumenteve dhe firmës të tyre për përfitimin e kredisë në disa raste i kanë denoncuar ngjarjet në media. Në shumë raste, mashtrime të këtij lloji janë kryer nga vetë punonjës të institucioneve financiare ose me bashkëpunimin e tyre.
Të tjera institucione financiare që janë të ekspozuara ndaj mashtrimeve, në forma të tjera, janë edhe kompanitë e sigurimeve. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, vitin e kaluar u regjistruan 19 procedime për veprën penale të “mashtrimit në sigurime”, nga 16 që kishin qenë në vitin 2021.
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale të klasifikuar si mashtrime për vitin 2022 arriti në 3.13%, ndërsa në vitin 2021 kishte qenë 2.35%.
Pesë individë u dënuan nga gjykata për këtë vepër penale, nga 18 që kishin qenë një vit më parë.
Neni 145 i Kodit Penal e përkufizon mashtrimin në sigurime si “paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime”. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Mashtrimi në sigurime lidhet kryesisht me inskenimin e aksidenteve ose ngjarjeve të tjera të sigurimit, me qëllim përfitimin e dëmshpërblimit nga kompanitë e sigurimeve./Monitor