AKTUALITET, 22 Maj 2023, 22:29

“Është si kompani biznesi, e cila operon vetëm për zgjedhje”, Sejamini shpjegon fenomenin “Doshi”

“Është si kompani biznesi, e cila operon vetëm për

Analisti Neritan Sejamini foli në emisionin “Të Paekspozuarit” për fenomenin “Doshi”, kryetarin e Partisë Socialdemokrate, që ka marrë vota e konsiderueshme për këshillat bashkiakë në disa bashki të vendit, veçanërisht në veri.

Sipas tij, PSD-ja e drejtuar nga Doshi, është një parti që është organizuar si kompani biznesi, e cila operon vetëm për zgjedhje dhe gjithçka është e lidhur me një individ që e financon, menaxhon dhe kontrollon partinë.

Biseda në studio:

Sejamini: Partia Social-Demokrate, pavarësisht rezultatit elektoral, është një parti që nuk ka njeri tjetër veç Tom Doshit. Ne nuk e dimë kush janë ndërtuesit e tjerë të partisë, nuk dihet kush janë drejtuesit, kush është kryesia, nënkryetari, sekretari.
Në faqen e partisë është vetëm Tom Doshi, edhe ai si kryetar partie. Është një parti që kur studiohet quhet parti e firmës së biznesit, një person i vetëm politik, sipërmarrës, dhe gjithë partia është organizuar si kompani biznesi, e cila operon vetëm për zgjedhje. Gjithçka është e lidhur me një individ që e financon, menaxhon dhe kontrollon partinë.

Rakipi: Jam shumë dakord, por në republikën tonë të nderuar, partia një njeri është, në të gjitha partitë.

Sejamini: Po të them një gjë, se ka një ndryshim mes PS-së dhe PSD-së. E para kontrollohet e gjitha nga Edi Rama, por ka 500 vetë të tjerë, ka deputetë, kryetarë dege, nënkryetar, punonjës dege, ndërsa PSD-ja ka një njeri të vetëm dhe këto parti njihen në botë se kanë një anëtar që është kryetari. Nuk ka struktura, nuk ka vendimmarrje, qoftë edhe formale. PS-në mund ta dominojë Rama, PD-në mund ta dominojë Berisha, Partinë e Lirisë mund ta dominojë Meta, por kanë struktura dhe njerëz, kurse kjo është me një anëtar dhe një kryetar.