AKTUALITET, 28 Nëntor 2022, 17:21

"U tregove legen!"/ Debati i autorit me kryebashkiakun e Divjakës para plagosjes: Njerëzit më thonin pse nuk reagon me këto që po të bën

"U tregove legen!"/ Debati i autorit me kryebashkiakun e Divjakës
Orges Xhelili, Fredi Kokoneshi dhe Gazmir Bullari

Sherri që çoi në plagosjen e kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshit dhe shoferit të tij Gazmir Bullari nuk ka zgjatur më shumë se disa minuta dhe sipas autorit gjithçka ka nisur me fyerje nga të dyja palët. Në dosjen që Tv Klan ka siguruar, janë renditur disa dëshmi që tregojnë se si sherri momental degradoi në dhunë.

“Në këtë kohë që unë isha duke shkuar për tek vjehrri, tek shkallët e lokalit që ka në përdorim shtetasi L.V., ndesha përballë me Kryetarin e Bashkisë Divjakë, shtetasin Fredi Kokoneshi, i cili ishte së bashku me një shtetase të quajtur L.Gj.

Aty unë sa u afrova i thashë “u tregove legen”. Aty Fredi me tha “kujt i thua ti kështu” dhe më kapi për një moment prej duarsh dhe më lëshoi”, thuhet në dëshminë e Orges Xhelilit.

Prokuroria thotë se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës së Kokoneshit. Edhe dëshmia e dhënë nga Xhelili tregon për hatërmbetje të krijuara pikërisht prej punës.

“Unë në këtë moment i thashë që unë të ofendova më parë dhe ti më ofendove tani dhe e lëmë këtë muhabet me kaq, pasi jam dhe pak i fryrë nga të tjerët. Në lidhje me këtë shprehjen “jam pak i fryrë”, nënkuptoj faktin se duke qenë se shtetasi Fredi Kokoneshi me ka hequr nga puna, marrja e 60 metër katrorë tokë të vjehrrit, prishi dhe një dyqan ku shiste bukë më parë, si dhe kërcënimi i vëllait të tij të quajtur L.Kokoneshi në kohën pas zgjedhjeve, si dhe nga fakti se Fredi Kokoneshi, donte ta hiqte nga puna si mjeke bashkëshorten time, kishin krijuar një ambient ku shoqëria dhe njerëzit në lagje më thonin “pse nuk reagon me gjithë këto që ai po të bën”, thuhet më tej në dëshmi.

Xhelili u arrestua disa orë pas ngjarjes teksa qëndroi i fshehur në një banesë të braktisur pas vendit të krimit, aty ku iu gjet dhe mjeti prerës me njolla të gjakut.