AKTUALITET, 9 Tetor 2024, 17:31

U shty nga deputeti i PD, reagon Milva Ekonomi

U shty nga deputeti i PD, reagon Milva Ekonomi

Deputetja e PS, Milva Ekonomi ka qenë sot pjesë e një incidenti në korridoret e Kuvendit, ku është shtyrë nga deputeti i PD, Xhelal Mziu.

Ajo shprehet e keqardhur, siç shprehet për nivelin ku kanë degraduar deputetët e opozitës, ndërsa thekson se “kjo sjellje e papranueshme, që po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese”.

Ekonomi me anë të një postimi në Facebook, i bën thirrje kolegëve të PD që t’i kthehet arsyes dhe t’i japë fund kësaj formë të bërit opozitë.

“E keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës. Agjenda e dhunës që po përpiqen ta imponojnë edhe në Kuvendin e Shqipërisë po kalon çdo kufi.

Kjo sjellje e papranueshme, që po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese.

Personalisht, ndjej detyrim të reagoj jo vetëm pse isha pjesë e kësaj situate konfrontuese, por edhe si deputete që ka zgjedhur të ushtrojë mandatin e deputetes konform rregullave dhe obligimit që kemi ndaj zgjedhësve tanë.

Asnjëherë nuk është vonë për t’ju kthyer arsyes dhe normalitetit, dhe shpresoj që deputetët e opozitës të kuptojnë që kjo formë e të bërit opozitë duhet të marrë fund njeherë e mirë në Shqipëri, ku problemet individuale tentohen të kthehen në kriza institucionale që pengojnë Shqipërinë në aspiratat intergruese në Bashkimin Europian”, shkruan Milva Ekonomi.