AKTUALITET, 9 Tetor 2024, 15:01

Gjykata e Posaçme heq sekuestron ndaj pronave të ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistrit: I porositi për 1.3 mln euro, kontrata u zgjidh! Parapagesa i kalon shtetit

Gjykata e Posaçme heq sekuestron ndaj pronave të ish-shefit të

Gjykata e Posaçme i kthen 5 pasuritë e sekuestruara kompanisë “Arlis Ndërtim” që ishin porositur nga Oltion Bistri dhe familjarët e tij, për të  cilat kishin paguar 1 milion e 300 mijë euro.

Shoqëria “Arlis” ndërtim kishte kërkuar revokimim e pjesshëm të vendimit nr 19 për sekuestron e pronave të Oltion Bistrit dhe familjarëve të tij, për 5 prona, apartamente e dyqane.

Gjykata hoqi nga sekuestro këto pasuri që ishin me kontratë porosie nga ish-shefi i Operacionales i akuzuar për shpërdorim detyre. Çështja ishte kundërshtuar në Gjykatë nga avokati i kompanisë “Arlis”. SPAK nuk kishte kundërshtime.

Por, çfarë ndodh me këto pasuri pas këtij vendimi?

Paratë që kompania kishte marrë nga Bistri dhe familjarët, i kalojnë Drejtorisë së Administrimit të Aseteve të Pasurive të Sekuestruara, ndërsa apartamentet dhe dyqanet i kthehen shoqërisë “Arlis”.

Kjo e fundit pretendoi se Bistri kishte porositur 5 apartamente në ndërtim, madje kishte bërë edhe pagesën, por që pas disa kohësh, kërkoi prishjen e kontratës pasi nuk donte ti blinte apartamentet dhe kontrata ishte zgjidhur.

SPAK ra në gjurmët e pronave gjatë verifikimeve në fazën hetimore ku rezultoi sipas saj se, pronat ishin si pjesë e pasurisë së drejtuesit të policisë dhe familjarëve të tij, dhe për këtë mori masën e sekuestros së 10 apartamenteve e 22 dyqaneve, 1 vile sipërfaqe trualli 200m2, një garazh dhe një automjet tip Range Rover viti 2012  me vlerë 3.1 milion euro.

Ish- shefi i policisë, Oltion Bistri u arrestua më 27 korrik 2023, pas një megaoperacioni në SPAK. Oltion Bistri në vjeshtën e vitit 2021 ka qenë më detyrë në Policisë e Lezhës, ndërsa më herët ka drejtuar edhe Policisë e Durrësit.